Ne rrjet

Greqia dhe Turqia rinisin bisedimet mes mosbesimit

Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord që të rifillojnë bisedimet e ashtuquajtura “eksploruese”, ku palët u komunikojnë njëra-tjetrës qëndrimet që kanë mbi çështje të caktuara. Njoftimi është dhënë shkurtimisht nga Ministria e Jashtme greke, por pa dhënë një datë konkrete.

Ministria e Jashtme greke thotë se bisedimet eksploruese do të mbahen në Stamboll “së shpejti”. Bisedimet pritet që të rifillojnë javën e ardhshme dhe ato pasojnë bisedën e Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan me Kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

Megjithëse ky zhvillim u mirëprit në kancelaritë europiane, në Athinë dhe Ankara nuk janë edhe aq entuziastë. Palët kanë ndasi thelbësore sa i takon pretendimeve të tyre. Erdogan ka kërkuar më herë që Greqia të largojë ushtrinë nga ishujt, që sipas Turqisë përcaktohen si të demilitarizuar në marrëveshjen e Lozanës.

Gjithashtu, Turqia ka lëshuar një tjetër Navtex, duke rezervuar zonën detare përreth ishullit grek Lemnos, ndërsa Erdogan ka propozuar thirrjen e një tryeze me të gjitha vende Mesdhetare, duke përfshirë këtu edhe Qipron Veriore, që njihet si shtet vetëm nga Ankaraja.

Në Athinë e shohin lëvizjen e Erdogan për t’u ulur në tryezën e bisedimeve si manovër për të shmangur sanksionet e mundshme të Bashkimit Europian, që do të mblidhet në një samit në fillim të muajit tetor. Samiti ishte parashikuar për më 24 dhe 25 shtator, por u shty pasi njëri prej truprojave të Charles Michel, President i Këshillit Europian rezultoi pozitiv me Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë