Nga Gazeta Si – Greqia ka dërguar avion për të shuar zjarret në ishullin e Sazanit, aty ku prej 4 ditësh vijon beteja e zjarrfikësve me flakët.
Lajmi është bërë me dije nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili njofton se kërkesa për ndihmë u bë nga Shqipëria dhe vendi fqinj u përgjigj menjëherë.
“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, shkruan në rrjetet sociale ministri Peleshi.
Avioni Canadair Cl 415, mbështetje nga Greqia dhe Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së i është bashkuar aksionit që po vijon prej më shumë se 48 orësh nga terreni. 122 trupa të Forcave të Armatosura, mjete detare, zjarrfikës, etj janë duke punuar për të ndërprerë përhapjen e flakëve.


Prej disa ditësh, dhjetëra ushtarë dhe zjarrfikës janë angazhuar për të shuar zjarret në ishullin e Sazanit. Nuk dihet arsyeja e rënies së flakëve.
Ndërhyrja nga terreni ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të zjarrit, por vatrat aktivizoheshin sërish. E për këtë arsye u vlerësua se ndërhyrja nga ajri do të jetë efikase.
Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti.
Vatër zjarri edhe në Mirditë, efektivët e FA shuajnë zjarrin
Nga ana tjetër, 54 forca janë përqendruar në fshatin Elgjin, njësia administrative Orosh në Mirditë, ku prej ditës së djeshme vijon të jetë aktive një vatër zjarri. Së bashku me forcat zjarrfikëse dhe mjetet e vëna në dispozicion po vijojnë operacionin për të mos lejuar që flakët t’u afrohen banesave aty pranë.
Rreth 54 efektivë të Forcave të Armatosura, forca të zjarrfikëses dhe banorë të zonës kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit në fshatin Elgjin, njësia administrative Orosh, në Mirditë.
Pas një aksioni të përqendruar u bë e mundur izolimi i kësaj vatre, duke shmangur totalisht edhe rrezikun për banesat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




