Gazeta Si – Një shpërthim i fuqishëm me bombë ndodhi pak pas mesnatës së kësaj të shtune në qendër të Athinës. Mediat greke raportojnë se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha materiale, teksa në shënjestër ka qenë Ministria e Punës.
Ngjarja u paralajmërua nga dy telefonata, të cilët paralajmëruan se në zonë ishte vendosur një bombë. Fillimisht ata thanë se bombën e kishin vendosur në Ministrinë e Punës, ndërsa më vonë njoftuan se ndodhej përballë saj, në degën e një banke.






Gjatë telefonatave, ata kanë marrë përsipër se sulmi është organizuar nga organizata “Vetëmbrojtja e Klasës Revolucionare”.
Pas shpërthimit të bombës në vendngjarje shkuan xhenierët mbi dyshimet për një të dytë, por nuk gjetën gjë. Ndërkohë rruga ku ndodhi shpërthimi është bllokuar nga autoritetet.
Në fokus të hetimeve janë videot nga kamerat e sigurisë nga bizneset përreth me qëllim që autoritetet të mund të identifikojnë autorët dhe të regjistrojnë lëvizjet e tyre, si para daljes së çantës ashtu edhe pas saj, ndërsa po hetohet edhe linja telefonike nga e cila është bërë telefonata.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të shumta materiale në hyrje të pallatit, ndërsa vala goditëse ka thyer xhamat deri në katin e gjashtë. Në vendngjarje ka shkuar Shërbimi i Antiterrorit dhe hetimet ende po vijojnë.
Mediat shkruajnë se ky sulm i çon grekët të paktën 5 vite më parë, pasi së fundmi nuk ka pasur ndonjë sulm terrorist.
Një bombë u vendos në mënyrë të ngjashme edhe në dhjetor 2016 jashtë Ministrisë së Punës. Organizata “Grupi i Luftëtarëve të Popullit” mori asokohe përgjegjësinë për mjetin shpërthyes që më pas u neutralizua nga ekspertët xhenierë.
“Një krim shumë i rëndë”
“Është diçka shumë serioze. Është një krim i rëndë”, u shpreh përfaqësuesi i qeverisë, Pavlos Marinakis, paraditen e kësaj të shtune, lidhur me shpërthimin e bombës.
“Është e qartë se ky është një nga operacionet më të rënda me të cilat po përballet policia greke për momentin”, vuri në dukje Marinakis. I pyetur nëse ishte një sulm terrorist, ai u përgjigj: “Sapo të ketë një pretendim specifik, një paralajmërim, një shpërthim dhe një bombë specifike, ngjarjet janë të lehta për t’u lidhur. Unë nuk jam kompetent të gjykoj dhe të jap detaje për një çështje në vazhdim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




