Ka ndodhur

Greqi, arrestohen 4 shqiptarë të dyshuar si autorë të atentatit ndaj një biznesmeni

Gazeta Si – Një grup prej 4 shqiptarësh janë arrestuar në Greqi, të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale vrasësish me pagesë.

Sipas mediave greke, ata akuzohen për një nga tentativat e vrasjes së Janis Lalas, një biznesmeni të njohur në shtetin fqinj. Në operacionin e policisë janë arrestuar edhe 2 grekë, përfshirë një grua.

Një prej të arrestuarve shqiptarë, me nofkën “Demos”, ka një të kaluar të errët, mes atentateve dhe vrasjeve.

“Demos”, besohet të jetë një hallkë e rëndësishme e një grupi të strukturuar kriminal që funksionon në shtetin fqinj, të quajtur “Mafia Greke”. “Demos” dyshohet të ketë pasur dhe rolin kryesor në një nga atentatet e kryera ndaj Lalas.

Sipas raportimeve greke, ai ka qëlluar me breshëri plumbash nga motori i tij, drejt makinës ku ndodhej Janis Lalas, por ky i fundit arriti të shpëtojë falë mjetit të blinduar me të cilin lëvizte.

Që pas këtij atentati, Lalas qarkullonte me kujdes dhe lëvizjet e tij u bënë më të kufizuara, nga frika e një sulmi tjetër.

Nuk dihet nëse atentati i fundit i bërë ndaj Lalas, që rezultoi me vdekjen e tij muajin e kaluar, të ketë lidhje me “Demosin”, por autoritetet helene nuk mendojnë një gjë të tillë, pasi biznesmeni ka pasur disa “armiq”.

Më 1 nëntor 2025, Lalas u vra në Arahova, në dhomën e hotelit ku ai qëndronte. Ka qenë një person, i cili ka hyrë në dhomë me forcë dhe ka lëshuar breshëri plumbash ndaj 41-vjeçarit.

Në një distancë jo shumë të largët nga hoteli, u gjet dhe një automjet i djegur, që besohet se i përket autorit/eve.

Për autoritetet greke, vrasja e tij shihet si “larje hesapesh”, për shkak se Lalas, kishte informacion të tepërt për botën e krimit në Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë