Pika e kalimit kufitar me Greqinë, Kavavija, nuk do të funksionojë për 24 orë, dhe kjo për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke.
Siç njoftojnë autoritetet, do të ndërpritet puna nga dita e nesërme, datë 24 nëntor, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor.
“Autoritetet e Policisë greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavije, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme, datë 24 nëntor, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor”, thuhet në njoftim.
Autoritetet thonë se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, fugonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.
Ndërkohë, përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.
Ndër të tjera, Policia Kufitare e Kakavijës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




