Ngjarje

Gratë po lindin pas të 30-ve/ Sociologët shpjegojnë arsyet

Të dhënat zyrtare tregojnë se gratë shqiptare po e shtyjnë në moshë lindjen e fëmijës së parë. Por për ekspertët arsyet e mëmësisë në moshën 30+ në vendin tonë mund të jenë jo aq të ngjashme si në vendet e zhvilluara të cilat rendisin kryesisht karrierën e gruas apo perspektivën e saj individuale. Sipas sociologes Marsida Simo "në Shqipëri arsyet më kryesore janë stabiliteti ekonomik dhe migracioni".

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 vihet re një rritje e numrit të lindjeve në grup-moshat 30-34 vjeç, 35-39 vjeç dhe 40-44 vjeç në krahasim me vitin 2016, megjithëse numri total i lindjeve ka ardhur në ulje. Në një këndvështrim më aktual sipas sociologes Simo kalimi nga familja e zgjeruar tek familja bërthamë (familje e vogël), një çifti të ri i duhet mesatarist 15 vite kursim për të blerë një shtëpi (pa përfshirë këtu arredimin dhe nevojat e tjera që ka shtëpia). Simo shpjegon se një peshë të madhe zë edhe kostoja shëndetësore dhe materiale që ka nevojë një fëmijë deri në moshën madhore e cila është shumë e lartë.
Të dhënat për Koeficientin Bruto të Riprodhimit (KBR), i cili është një tregues për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, duke maturnormën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese, tregojnë se për vitin 2020, KBR-ja është 0,65 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 35 për qind larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave dhe nga preferenca për të lindur djem.


Numri i lindjeve të vitit 2020 është 28.075. Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. INSTAT në bazë të të dhënave shkruan se ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Në vlera absolute, rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2020 është 486 lindje. Për lindjet djem kemi një rënie prej 2,7 %, ndërsa për lindjet vajza rënia është 0,6 %. Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese, shënon 1,34 fëmijë për vitin 2020, nga 1,36 që ishte me 2019. Dhe kjo është një nga normat më të ulëta në Europë.
Sipas sociologes Simo një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në këtë fenomen janë edhe lëvizjet migratore.
"Në fshatra apo qyteza numri i grave është më i lartë se i burrave, e cila çon automatikisht në martesa të mëvonshme dhe lindje në moshë më madhore për gratë. Edhe vetë emigrimi sjell jo stabilitet në jetën familjare, ku gruaja është ajo që kujdeset për shtëpinë dhe burri që duhet të sigurojë të ardhurat. Kjo mund të frenojë shtimin në numër të anëtarëve të familjes deri në mundësi më të mira ekonomike," shpjegon Simo për Gazetën "Si".

Sipas sociologes, ulja e numrit të lindshmërisë e shoqëruar me rritjen në moshë të nënës kur vendos të lindi fëmijë, deri diku ishte e pritshme edhe për vendin tonë, pasi këtë si fenomen e kemi hasur në vendet e zhvilluara prej vitesh.
"Sigurisht që edhe dinamika e jetës ka ndryshuar ku vajzat dhe gratë po shkojnë drejt realizimit të objektivave bazë siç është arsimimi, profesioni dhe stabiliteti në tregun e punës. Tendenca po shkon drejt individit i cili nuk ka qëllim vetëm riprodhimin por edhe edukimin dhe mirëqenien", thekson sociologia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë