Irena Beqiraj
Gratë ndaj grave!

Në një nga bisedat tona të zakonshme, Neritan Sejamini më tregoi dy statuset e një burri që denigronte figurat e dy grave. Por ajo që i kishte bërë përshtypje Neritanit ishte se tek komentuesit e statusit të burrit, më aktive në garën "e hedhjes së baltës" mbi jetën e grave në fjalë kishin qenë gra.
Çfarë dreqin ndodh me gratë? -më pyet Seamini me një ton shumë serioz.
Një pyetje e vështirë për t'ju bërë një gruaje, pasi për t'u përgjigjur vërtetësisht kërkon vetëreflektim.
Po e filloj këtu.
Le ta pranojmë se, ashtu si burrat, ne gratë jemi qenie njerëzore, të afërta me majmunët po aq sa edhe me engjëjt, të afta për mizori dhe dhembshuri, zili dhe bujari, konkurrencë dhe bashkëpunim.
Disavantazhi ynë eshtë se ne operojmë në një botë në të cilën Zoti përfytyrohet si një burrë i bardhë i gjatë me mjekër, jo si një grua e vogël dhe e rrumbullakët.
E ndërsa luftojmë çdo ditë "të çmohemi" nga burrat, burimi ynë përfundimtar i forcës, vlerës, arritjeve dhe identitetit, është çmimi i tyre.
Elena Ferante e shpjegon shumë më bukur se çdo gjë që kam lexuar ketë -
"E varfër apo e pasur, e paditur apo e arsimuar, e bukur apo e shëmtuar, e famshme apo e panjohur, e martuar apo beqare, e punësuar apo e papunë, me fëmijë apo pa fëmijë, rebele apo e bindur, jemi të gjitha thellësisht të shënjuara nga ekzistenca në një botë e cila, ndonëse na duket sikur na përket, është helmuar qysh në rrënjë nga mijëvjeçarë sundimi mashkullor.Ne gratë jetojmë mes kontradiktave të përhershme dhe stërmundimeve të papërballueshme. Çdo gjë, vërtet çdo gjë, është formësuar në bazë të nevojave të burrave, madje edhe të brendshmet tona, zakonet seksuale, mëmësia….......
Cenet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësia, vetë gjuha jonë skaliten përulësisht në hierarkitë e mashkullores, dënohen ose lëvdohen sipas kodesh që realisht nuk na përkasin e që na rraskapitin. E kështu bëhemi lehtësisht pre e urrejtjes ndaj të tjerëve dhe ndaj njëra tjetrës" .
Por nuk mjafton kjo, gratë duke përfshirë këtu edhe veten, kanë pritshmëri më të larta dhe të ndryshme ndaj grave te tjera krahasuar me pritshmëritë qe kanë ndaj burrave. Ne gratë priremi të mos i falim gratë.
Paradoksale, por e kuptueshme! Mbijetesa ekonomike dhe sociale, i bën gratë më të gatshme të falin dështimin e burrit, papërsosmërinë, dhunën dhe tradhtinë e tij, por kurrë një sjellje të tillë tek një grua tjetër.
Ndërkohë që, që në fëmijëri ne raskapitemi në luftën për të qenë mike ose viktima të njëra tjetrës. Nëse pranojmë këtë, disa gjëra bëhen më të qarta. Gratë konkurrojnë kundër grave të tjera por gratë kanë nevojë të mbështeten te gratë e tjera; gratë kanë zili dhe sabotojnë njëra-tjetrën përmes shpifjeve, thashethemeve dhe shmangies, por gratë gjithashtu duan miratimin dhe mbështetjen e grave të tjera.
Sot ka me qindra gra, që edhe pse të rritura, ende mbajnë mend se si jane tallur, turpëruar, shmangur dhe heshtur në fëmijëri – jo nga djemtë por nga vajza tjera, me gjithë nevojën ulëritëse që kanë pasur për lidhje pozitive dhe shpenguese me njëra-tjetrën.
Nëse ne gratë do të vazhdojnë të mohojmë që ky problem ekziston duke u luhatur në skajet e superioritetit edhe viktimës, vajzat tona të vogla e mandej gratë e rritura do të vazhdojnë të "heshtin ", jo nga frika ndaj djemve të vegjël e mandej burrave të rritur por nga frika ndaj vajzave e grave të tjera, fuqia e të cilave për t’i shmangur dhe për t’i izoluar i tmerron !
Nuk di nëse ky reflektim është një përgjigje e vlefshme për pyetjen e Seaminit.
Ajo që ka rëndësi është që ne gratë përveçse të drekojmë sot me njëra tjetrën, të kuptojmë nevojën për nje ndërgjegje të re në ndërveprimet, qëndrimet tona të përditshme ndaj një tjetër gruaje.
Gëzuar 8 Marsin !
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.