Në ditën e 26-të, gratë naftëtare të Ballshit kanë lënë grevën e urisë.
Vendimi vjen pas thirrjes së kryeministrit dje për dialog, ndërsa ai sot do të zhvillojë një takim me naftëtarët për të diskutuar nga afër për gjetjen e një zgjidhje për kërkesat e tyre.
Mësohet se mes palëve është rënë dakord për t’u ulur në bisedime. Takimi me kryeministrin Edi Rama pritet të zhvillohet në orën 18:00.
Një prej përfaqësueseve të kësaj greve u shpreh optimiste për takimin që do të ketë sot me kryeministrin Edi Rama.
“Motra dhe vëllezër, ne sakrifikuam 26 ditë sot për të drejtën tonë, për kauzën tonë, që ishte e drejtë dhe e pastër si drita e diellit. Sot erdhi momenti që ne të dalim nga kjo grevë për një fitore të re. Për një kauzë të re, për një epokë të re në bashkëbisedim me kryeministrin. Ai ofroi dje negocim. Ne do të shkojmë sot për negocim, se dimë akoma, por mendoj unë se si një nënë që kam ikur 26 nga shtëpia, kërkojmë bukën e gojës së fëmijëve. Sot shpresojmë që t’i çojmë bukën fëmijëve, përderisa kryeministri arriti në negociata, po dalim për një zgjidhje”, është shprehur naftëtarja.
Ndërkohë, gratë nga ana tjetër kanë paralajmëruar se nëse nuk do të zgjidhen kërkesat e tyre, ato do të ndërmarrin sërish hapa të tjera.
Gratë naftëtare kanë lënë mjediset ku qëndruan për shumë ditë me radhë rreth orës 10.00, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së kryeministrit për negociata, i cili pati deklaruar që do të ketë bisedime, vetëm në rast se ato do të hiqnin dorë nga qëndrimi në grevë urie.
Naftëtarët kërkojnë që të zbatohet vendimi i gjykatës për marrjen e pagave të prapambetura e më pas të vijojnë bisedimet për vazhdimësinë e punës në uzinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



