Pas një proteste paqësore në datën 12 gusht në Bujanoc, në vende të ndryshme të kësaj komune në Luginën e Preshevës, brenda një jave janë shfaqur grafite dhe parrulla të tilla si “Vdekje shqiptarëve”, apo “Vdekje shqiptarëve, nuk ju duam, Kosova është Serbi”.
Parrullat kanë ngjallur reagimin e fortë të shqiptarëve atje, ndërkohë që Republika e Serbisë, publikisht dhe zyrtarisht, do të duhej të dënonte këto akte, ku me mbishkrime shprehet gjuha e urrejtjes dhe kërcënimit ndaj shqiptarëve.
Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, përmes një letre të gjatë dërguar në Ambasadën e SHBA-së, Misionin e OSBE-së dhe Ambasadën Britanike në Serbi, shkruan se me grafitet antishqiptare po nxitet dhuna ndaj shqiptarëve dhe se një shqetësim madhor mbetet pasivizimi i adresave të shqiptarëve.
“Rritja e ndjenjës antishqiptare dhe diskursi përjashtues i promovuar nga disa zyrtarë qeveritarë kërcënojnë ekuilibrin delikat të multietnicitetit në Luginën e Preshevës.
Multietniciteti duhet të përfaqësojë barazi, drejtësi dhe respekt për të gjitha komunitetet, dhe jo margjinalizimin dhe shtypjen e popullsisë shqiptare e privilegje për tjetrën.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme: Të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobisë; Dënoni publikisht gjuhën e urrejtjes dhe retorikën ksenofobike që po përhapet në Luginën e Preshevës”, shkruan në letrën e Kamberit ndër të tjera.
Reagim ka pasur edhe nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili i konsideruar këto mbishkrime si pjesë të një modeli më të madh kërcënimesh dhe represionesh kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në një postim në platformën “X”, Bislimi tha: “Vdekje për shqiptarët. Nuk ju duam. Kosova është Serbi!” është një tjetër mesazh urrejtjeje që u gjet sot në hyrjen e repartit të fëmijëve në Bujanoc. Ky nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë të kërcënimeve dhe represioneve kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”
Bislimi theksoi se mesazhe të tilla urrejtjeje janë të papranueshme dhe kërkojnë një reagim të menjëhershëm dhe të vendosur nga autoritetet ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ndërkohë Republika e Shqipërisë, edhe pse ka marrëdhënje diplomatike me Republikën e Serbisë, në bazë të kushtetutës do të duhej dërgonte një notë proteste ndaj Beogradit zyrtar. Por deri tani nuk ka një reagim zyrtar të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.