Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë reaguar për grabitjen e ndodhur sot në aeroportin e Rinasit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka sulmuar Policinë e Shtetit dhe Qeverinë Rama se kanë prioritet luftën ndaj qytetarëve dhe jo të mbrojnë perimetrin e sigurisë së Aeroportit.
Sipas PD-së, forcat e policisë ishin të angazhuara sot për të larguar banorët e Bregut të Lumit, ndërkohë që në Rinas u grabit brenda pistës së avionëve sasia e konsiderueshme e parave.
“Kur Policinë e angazhon kundër qytetarëve, që mbrojnë strehën e fëmijëve të tyre apo protestojnë kundër Qeverisë, me vetëdije i hap rrugën grabitjeve me armë në zonën më të sigurt në vend (brenda perimetrit te sigurisë në Aeroportin e Rinasit) apo vrasjeve të tipit mafioz në zonat më të populluara. Është çështje prioriteti! Edi Rama ka prioritet luftën me qytetarët dhe jo luftën me krimin. Me 13 Prill, protestojmë edhe për të kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo banditëve e grabitësve në pushtet. #13Prill #RamaIk”, thekson Bardhi.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, thotë se ministri i Brendshëm Lleshaj nuk merret me banditët, por hedh gaz helmues.
“Shteti ka rënë! Edi Rama dhe Sandër Lleshi nuk kanë kohë të merren me sigurinë publike, por dhunojnë gra, fëmijë dhe të moshuar te “Bulevardi i Ri”. Grabiten në mes të ditës miliona euro dhe Sandër Lleshi nuk merret me banditët, por hedh gaz helmues kundër qytetarëve të varfër të këtij vendi, që kërkojnë të mbrojnë pronën e tyre. Gazi helmues përdoret kundër qytetarëve, ndërsa banditët lëvizin të lirë dhe terrorizojnë qytetarët, duke grabitur në mes të ditës”.

Rreth orës 15:00 të ditës së sotme, persona të paidentifikuar, kanë hyrë në pistën e aeroportit të Rinasit, ku dyshohet të kenë grabitur rreth 2 milionë euro, edhe pse shuma mund të jetë më e madhe.
Policia e vënë në ndjekje të autorëve, ka mundur të vrasë një nga grabitësit, rreth 2 kilometra larg aeroportit, në rrugën e Hurmave, pasi ata kishin marrë paratë.
Autorët e tjerë kanë mundur të largohen, ndërsa është kapur edhe një furgon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” që autorët përdorën për të kryer grabitjen. Dhe duket se pikërisht ky furgon dhe kamuflimi i grabitësve të ketë qenë “mburoja” e tyre për të hyrë në aeroport.
Policia në njoftimin e saj zyrtar tha se grabitësit kanë hyrë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




