Politike

Grabitja në Rinas, Lleshaj tregon sa milionë euro u grabitën

Ministri i Brendshem Sandër Lleshaj ka zbuluar me përafërsi shumën e grabitur në pistën e aeroportit të Rinasit tre ditë më parë.

Ai ka akuzuar direkt koncesionarin e Rinasit si përgjegjësin kryesor të grabitjes së ditës së martë të miliona eurove.

“Nga informacionet që kam unë, shifra që është grabitur është rreth 5 milionë euro. Ne kemi identifikuar përgjegjësin kryesor të kesaj ngjarjeje, që është koncesionari, pasi ky është rast i përsëritur dhe për më tepër ka disa letra dërguar kompanisë që duhet të rriste sigurinë dhe janë injoruar në menyrë sistematike çuditërisht. Fakti që kontraktori ka ceduar në ndërtimin e një barriere sado të vogël, që të na jepte ne mundësi të reagonim, tregon dobësinë e tyre. Jo vetëm që koncesionari nuk i ka dhënë qoftë edhe 1 minutë më shumë kohë policisë për ndërhyrje, por as nuk ka njoftuar”, tha Lleshaj i ftuar në emisionin “Real Story”.

Por ai shtoi se edhe puna e Aviacionit Civil duhet të shikohet në këtë drejtim për të kuptuar përgjegjësinë edhe të këtij institucioni.

Lleshaj tha se edhe policia ka përgjegjësinë e vet në një varg të gjatë institucionesh përgjegjëse, por në piramidën e fajtorëve, uniformat blu janë të fundit në këtë rast.

“Përgjegjësinë maksimale e ka koncesionari. Mos harroni që çdo pasagjer paguan 3 euro për çdo lëvizje që bën nëpërmjet Rinasit. Për çfarë shpenzohen këto para? A kanë qenë në shërbim të sigurisë. Natyrisht, në disa aspekte kjo gjë duhet të ishte kontrolluar edhe nga Aviacioni Civil. Ka pasur frymë refuzuese dhe aspak bashkëpunuese nga koncesionari. Madje ne nuk kemi pasur akses as në dhomat e kamerave të sigurisë. Ka pasur mungesë gatishmerie për transparencë. Mungesa e dëshirës për bashkëpunim nga koncesionari është aq e dukshme saqë ka shkuar në nivele irrituese. Tentativa për të bërë dominuesin dhe padronin nga koncesionari është e patolerueshme nga ana jonë”, shtoi Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë