Xhemal Gjunkshi ka shërbyer si shef i Shtabit të Përgjithshëm përgjatë viteve 2011 deri në 2013, kur mbante gradën Gjeneral Major. I pyetur nga Gazeta “Si”, Gjunkshi i cili tani është deputet i PD-së për zonën e Dibrës, tregon se si e shikon ai vjedhjen e arsenalit të armeve në Bazën e Pashalimanit.
Zoti Gjunkshi, pas vjedhjes së arsenalit të armëve në Bazën e Pashalimanit, a duhet të ketë pasoja për Forcat e Armatosura kjo ngjarje përderisa Shqipëria është vend anëtar në NATO?
“Për Forcat e Armatosura nuk ka asnjë pasojë nga pikëpamja operacionale, por në pikëpamjen e sigurisë është një goditje për besueshmërinë dhe sigurinë dhe aq më tepër kur ndodh në bazën kryesore detare të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2008 është bërë një studim i plotë për ta kthyer këtë bazë në parametrat e NATO-s. Në këtë studim është theksuar se megjithë investimet e shumta, kjo bazë nuk i përmbush parametrat e sigurisë sipas kritereve te NATO-s, kryesisht për distancën e rrethimit të bazës. Për të kthyer këtë bazë në parametrat e NATO-s, kërkesa ka qenë për rreth 500 milionë dollarë, megjithatë grupimi i depove ka qenë detyrë përparësore dhe në 2008, sëbashku me investimet për Kantjerin e Pashalimanit, u rikonstruktua një depo rreth 100 m larg komandës së bazës. Armatimi u vendos në këtë depo”.
Cilat janë përgjegjësitë që rëndojnë mbi zinxhirin komandues dhe hierarkinë e Forcave Detare?
“Përgjegjësia është totalisht e zinxhirit të komandimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Forcave Detare. Sa herë ndërrohen ministrat ndërrohen edhe kuadrot drejtues, heqin të aftët dhe vendosen ata që u shërbejnë politikanëve. Në një bazë ku hyrje ruhet nga Policia Ushtarake por ku më lehtë futen trafikantët e peshkut, të molusqeve e të lloj lloj trafiqeve, se sa mund të futen deputetë të Parlamentit, Ministrisë; gjithë sistemi zinxhir duhet të nxjerrë përgjegjësitë reale. Shkatërrimi i Pashalimanit filloi në vitin 2013, me shkatërrimin e kantjerit. Ne ndërtuam 4 anije dhe investuam dhjetëra milionë euro. Mes të tjerash kantjeri arriti të kishte 180 punonjës, etj. Po sot?! Një batërdi e tërë. Kantjeri nuk ka më shumë se 40 punonjës”.
- Dosja e hetimit – Si u vodh baza ushtarake e Pashalimanit
- Vjedhja në Bazën e Pashalimanit, burg për 4 ushtarakët
Pashalimani është një nga bazat që është angazhuar edhe në misionet e NATO-s për patrullimet në Egje. A është tashmë kjo një bazë e parametrave që kërkon NATO?
“Pjesa detare nuk cenohet nga kjo vjedhje, elementët e misionit në Egje ndikohen vetëm moralisht”.
A ka pasur herë tjetër një histori grabitjeje në Bazën e Pashalimanit?
“Vjedhje armatimi në Pashaliman ka pasur vetëm në 1997”.
Çfarë duhet të bëjë Ministria e Mbrojtjes?
“Ministria e Mbrojtjes duhet të vërë në drejtim kuadrot e përgjegjeshëm dhe të aftë dhe jo servilë e njerëz që duhet ta kenë mirë me ministren. Fillon që nga koka; si mund të jetë komandant i Forcave Detare një oficer transporti?! Aq më tepër në kundërshtim me ligjin e gradave”.
A është kjo thjesht një rregullore e pazbatuar nga ushtarët e tetarët e thjeshtë, apo është një histori skandali që tregon se si kryhen shërbimet e ushtrisë në vendroje?
“Kjo nuk është një histori ushtari apo nënoficeri. Ky është një skandal, pa veshje të ngrohtë, pa ndriçim, pa kamera sigurie. Shumë afër depos së armatimit janë 2 depozita me 600.000 litra karburant. Ka rreth pese vjet që buxheti i mbrojtjes ka qenë 0.8% e GDP-së. Mjafton ky fakt për të dalë në konkluzion se si mundet të rriten kapacitetet operacionale, si mundet të edukohet, trajnohet, stërvitet etj, një forcë e armatosur. Vëmendja e kësaj qeverie ka qenë si mund ta politizojë në ekstrem Forcën e Armatosur dhe si mund ta vërë në shërbim të trafikut të drogës, duke fikur radarët dhe duke e kthyer Detin Adriatik dhe Detin Jon në autostradë detare. I gjithë ky zinxir komandimi që është vëëe në shërbim të cenimit të sigurisë kombëtare është graduar dhe emëruar me pozicione kyçe ushtarake dhe civile”.
Pashalimani është baza që siguron hapësirën detare. A tregon kjo ngjarje se ushtria duhet reformuar për mënyrën si i kryen shërbimet dhe se si i ruan bazat ushtarake?
“Ushtria duhej të ishte reformuar, jemi shumë vonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.