Gazeta Si – Elis Suçi ishte shpallur në kërkim nga policia i akuzuar për vjedhje, por kjo nuk e ka penguar të riun të organizojë dhe grabisë nën kërcënimin e armës filialin e Postës në Kamzë.
Policia thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë dhe ka shpallur në kërkim 30-vjeçarin, i cili dhe këtë herë ka mundur që të arratiset, ndërsa ka arrestuar shokun e tij, bashkëautor në vjedhje Algert Kurtin 20-vjeç.
Të dy në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të maskuar, grabitën nën kërcënimin e armës dje në mesditë, filialin e postës Shqiptare në Kamzë, ku morën 100 mijë lekë dhe u larguan.
Policia ka sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Elis Suçi, i dënuar më parë për vjedhje, ishte në kërkim, pasi në muajin mars qëlloi me armë në drejtim të policisë në afërsi të shkollës në Kamëz, teksa këto të fundit po shkonin që ta arrestonin.
Me një kapele në kokë dhe një maskë anti-Covid, një nga autorët ka arritur të grabisë një shumë prej 100 mijë lekësh në filialin e Postës në Kamzë, nën kërcënimin e një pistolete lodër.
Autori raportohet se ka ardhur drejt postës në këmbë dhe nuk ka ushtruar dhunë ndaj sportelistes së këtij filiali.
Pasi ka marrë paratë, është larguar sërish në këmbë drejt rrugicave të lagjes për të humbur gjurmët.
Pak muaj më parë një tjetër postë u grabit në zonën e Babrrusë në Tiranë. Autorët ishin të mitur, ndërsa shuma që morën nuk ishte e madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




