Ka ndodhur

Grabitja e biznesmenit në Fushë Krujë, burg pa afat për një nga autorët e dyshuar

Autori i dyshuar i grabitjes dhe dhunimit në shtëpi të biznesmenit Naim Çangu në Nikël, është lënë në burg. Saimir Kuçi doli këtë të mërkurë para Gjykatës së Krujës, ku u njoh me masën e sigurisë. Ai u arrestua nga policia të shtunën thuajse dy javë pas ngjarjes së rëndë në Fushë Krujë.

Kuçi është një emër i njohur për policinë, si pjesë e një grupi me 5 anëtarë, të cilit i janë faktuar të paktën 11 grabitje në Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Laç e Lezhë në vitet 2017-2018, me një vlerë prej 650 milionë lekësh.

Pikërisht nëpërmjet tij, policia arriti të zbulojë grupin që hyri në vilën e biznesmenit mesnatën e 24 tetorit, duke terrorizuar 46-vjeçarin dhe familjen e tij.

Për ngjarjen në fjalë, policia ka shpallur në kërkim disa persona të tjerë, mes tyre edhe personin e konsideruar si “trurin e grabitjes”, Artan Prengën, një person me precedentë penal në vjedhje, grabitje, plagosje dhe trafik droge.Policia tha se veç Artan Prengës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe anëtarët e tjerë të bandës së grabitësve.

Më 24 tetor, pak pas mesnate në Nikël të Fushë Krujës, persona të maskuar janë futur brenda banesës së biznesmenit për të grabitur kasafortën e shtëpisë, ku fillimisht kanë dhunuar edhe Nazmi Çangun dhe terrorizuar familjen e tij. Pas dhunës së ushtruar, autorët kanë vjedhur para cash dhe sende me vlerë që kapin shifrën e mbi 100 mijë eurove.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë