Ngjarje

Grabitja e armëve në Pashaliman ka fajtorë, por jo autorë

Vjedhja e materialeve ushtarake në bazën e Pashalimanit ka sjellë dënimin e katër efektivëve, që u morën të pandehur me procedurën e gjykimit të shkurtuar, duke përfituar uljen e dënimit në masën 1/3.
Ushtarakët që ishin arrestuar për ngjarjen, konkretisht janë: Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj 42 vjeç përgjegjës, Ervis Memsulaj 23 vjeç dhe Ardit Ramaj 25 vjeç, roje. Ndërkohë që nuk ka asnjë person të dënuar për vjedhjen e armatimeve.
Mësohet se vendimi është marrë më 5 dhjetor 2019 nga Gjykata e Vlorës, ku gjyqtarja e çështjes Viola Canaj, deklaroi fajtor dhe dënoi me 16 muaj burgim Ardit Ramaj, për akuzën e “Shkeljes së e rregullave të shërbimit të rojës në depot e armatimit me pasoja të rënda”.
Me 16 muaj burgim dhe për të njëjtën akuzë është dënuar dhe ushtaraku tjetër i bazës së Pashalimanit, Lesko Ramosaçoj.
Ndërkohë me 20 muaj burgim është dënuar Ervis Memsullaj, ndërsa me 12 muaj burg është dënuar ushtaraku Edlir Nelaj.
Për këtë të fundit gjyqtarja e çështjes ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e vuajtjes së dënimit me burg, duke ia konvertuar këtë masë dënimi me 200 orë punë të detyrueshme, në interes publik pranë Bashkisë së Vlorës.
Në bazën e Pashalimanit u vodhën armë të llojeve të ndryshme dhe ushtari që duhej të ruante armët nuk gjendej në vendin e rojës në momentin që ndodhi grabitja.
Ndërkohë, për këtë ngjarje ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka pati shkarkuar 15 ushtarakë përgjegjës ne drejtim-komandimin dhe çështjet të sigurisë dhe ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.

Dosja e ngjarjes që i kaloi përmasat e një grabitjeje të rëndomtë

Vjedhja e një arsenali të rëndë armësh në bazën ushtarake të Pashalimanit i kaloi në fakt përmasat e një grabitjeje të rëndomtë. Gazeta “Si” siguroi që në fillim të plotë dosjen hetimore. Aty jepen me detaje hetimet e kryera nga policia ushtarake për ngjarjen që hedh pikëpyetje të forta për organizimin e shërbimeve ushtarake dhe seriozitetin e tyre. Në mënyrë kronologjike policia ushtarake raportonte si vijon:

Harta e vendit ku ndodhi grabitja e Pashalimanit

Në orën 8.40 të mëngjesit, datë 10 janar nëntetari Klement Rrapushi, përgjegjës i bazës ushtarake në repartin që njihet me numrin 2004, Pashaliman, ka dhënë alarmin. Ai konstatoi vjedhjen dhe menjëherë ka njoftuar shefat e tij me gradat major.
Ajo çfarë u pa në repart ishte një mësymje që siç ngjan nga gjurmët është më së shumti e brendshme. Nga një dritare duralumini mendohet se është hyrë në depon e armatimit dhe konkretisht në vendrojën 3 dhe 4. Por edhe pse dritarja kishte zgara hekuri, policia ushtarake dyshon fort se kunjat e hekurit janë këputur me drejtim nga brenda jashtë. E padëmtuar është vërejtur edhe dera e depos, e cila është parë e hapur nga Nëntetari që dha alarmin. Me gjithë kontrollet e imtësishme brenda bazës nuk është gjetur asnjë gjurmë papilare, duke forcuar dyshimet se rrëmbimi i armatimit është kryer nga profesionistë. I gjithë perimetri i brendshëm dhe i jashtëm është kqyrur imtësisht, por asnjë gjurmë. Jashtë objektit dhe jashtë gardhit rrethues është gjetur një armë që mendohet se gjatë boshatisjes së depos duhet t’u ketë rënë grabitsëve. Arma është model 56.
Megjithë kërkimet nuk ka pasur asnjë zbulim tjetër të vlefshëm. Në këto kushte policia ushtarake ka hedhur sytë për të zbuluar emrat e ushtarëve që ndodheshin në shërbim gjatë mbrëmjes së vjedhjes. Nga këqyrja e regjistrave të shërbimit të rojes për shërbim 24 orësh u vu re se kanë qenë katër ushtarë me detyra që nga shërbimi në flotije deri tek oficeri i shërbimit dhe shërbim roje. Gjatë pyetjes së tyre në mënyrë të çuditshme rezulton se gjatë ndërrimit të turneve, njëri nga ushtarët Ervist Memolla, mbrëmjen e 10 janarit ka qëndruar në shërbim deri në orën 3 të natës dhe më pas është larguar për t’u kthyer në orën gjashtë të mëngjesit dhe ka vazhduar shërbimit pa kryer kontroll në objekt. Ai më pas sërish është larguar pa pritur ushtarakun që merr detyrën e radhës.

Hyrja e Bazës Ushtarake të Pashalimanit

Po përveç kësaj shkeljeje, një tjetër vazhdonte edhe nga zinxhiri komandues. Shefi i tij, me detyrë oficer informacioni Ardit Ramaj duhej të kontrollonte sipas rregulloreve të Forcave të Armatosura nënlejtnantin nëse ishte apo jo në shërbim dhe jo më pak se një herë gjatë turnit. Të njëjtën gjë duhet të bënte edhe përgjegjësi i turnit për të verifikuar nëse po kryhej patrullim dhe nëse gjendej ushtari në vendrojë . Një tjetër ushtarak i tretë duhet të dinte veprimet e të mëparshmëve përfshi vendndodhjen e personelit gjatë shërbimit sipas një linje hierarkike, përfshi edhe mënyrën se si është marrë detyra duke u zbardhur data 10 janar. Ushtari vijues që quhet Edlir Nelaj ka firmosur marrjen e shërbimit pa qenë i pranishëm personeli i shërbimit pa kryer kontroll fizik të objektit përfshi edhe depon e boshatisur ku gjatë natës ishin grabitur armatime të rënda që nga kallashnikovët deri tek blindshpuesit.
Gati 10 vjet më parë Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Kjo ngjarje është historike, por e detyronte ndërkohë vendin tonë që të angazhohej seriozisht për të reformuar automatikisht forcat e armatosuara në një trupë më të vogël, por më efikase dhe moderne. ADN-ja e kësaj ushtrie do të ishte rritja e sigurisë. Por grabitja e armëve në një nga bazat më të mbrojtura ushtarake dëshmon se sa e dobët është ushtria. Me reparet ushtrake dhe forcat e armatosura brenda pak vitesh kanë ndodhur shumë ngjarje të rënda. Diku u vodhën sasi të mëdha lëndësh eksplozive, në Gërdec ushtria me dijeni të kupolës më të lartë punoi si hamalle në trafikun e armëve që më pas rezultoi me një shpërthim nga demontimi ku mbetën të vdekur dhjetëra qytetarë. Ka pasur ushtarakë të lartë të përfshirë në trafik të lëndëve narkotike siç ka pasur ushtarakë të implikuar në vjedhje spektakolare bankash.

Gjunkshi: Është përgjegjësi e të gjithë zinxhirit komandues

Ngjarja është konsideruar si tepër e rëndë në atë kohë edhe nga ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm përgjatë viteve 2011 deri në 2013, Xhemal Gjunkshi, i cili në ato vite mbante gradën Gjeneral Major. I pyetur nga Gazeta “Si” pas grabitjes në Pashaliman, Gjunkshi i cili më pas u bë deputet i PD-së për zonën e Dibrës, tregonte se si e shikonte ai vjedhjen e arsenalit të armeve në Bazën e Pashalimanit.

“Për Forcat e Armatosura nuk ka asnjë pasojë nga pikëpamja operacionale, por në pikëpamjen e sigurisë është një goditje për besueshmërinë dhe sigurinë dhe aq më tepër kur ndodh në bazën kryesore detare të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2008 është bërë një studim i plotë për ta kthyer këtë bazë në parametrat e NATO-s. Në këtë studim është theksuar se megjithë investimet e shumta, kjo bazë nuk i përmbush parametrat e sigurisë sipas kritereve te NATO-s, kryesisht për distancën e rrethimit të bazës. Për të kthyer këtë bazë në parametrat e NATO-s, kërkesa ka qenë për rreth 500 milionë dollarë, megjithatë grupimi i depove ka qenë detyrë përparësore dhe në 2008, sëbashku me investimet për Kantjerin e Pashalimanit, u rikonstruktua një depo rreth 100 m larg komandës së bazës. Armatimi u vendos në këtë depo”, deklaronte Gjunkshi.
Sipas tij, përgjegjësitë rëndojnë mbi të gjithë zinxhirin komandues dhe hierarkinë e Forcave Detare. “Përgjegjësia është totalisht e zinxhirit të komandimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Forcave Detare. Sa herë ndërrohen ministrat ndërrohen edhe kuadrot drejtues, heqin të aftët dhe vendosen ata që u shërbejnë politikanëve. Në një bazë ku hyrje ruhet nga Policia Ushtarake por ku më lehtë futen trafikantët e peshkut, të molusqeve e të lloj lloj trafiqeve, se sa mund të futen deputetë të Parlamentit, Ministrisë; gjithë sistemi zinxhir duhet të nxjerrë përgjegjësitë reale. Shkatërrimi i Pashalimanit filloi në vitin 2013, me shkatërrimin e kantjerit. Ne ndërtuam 4 anije dhe investuam dhjetëra milionë euro. Mes të tjerash kantjeri arriti të kishte 180 punonjës, etj. Po sot?! Një batërdi e tërë. Kantjeri nuk ka më shumë se 40 punonjës”, deklaronte Gjunkshi.

Shkarkimi i 15 ushtarakëve të lartë

Ngjarja e rëndë në Pashaliman, detyroi disa javë më pas Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka të firmoste plot 15 shkarkime në nivel të lartë ushtarakësh. Në njoftimin që u shpërnda asokohe për mediet bëhej më dije se pas hetimit të kryer nga Shtabi i Përgjithshëm i FA, ngarkohej me përgjegjësi e gjithë linja e komandimit në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.
Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, i ngarkohej komandantit të Forcës Detare, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës se komandimit. Gjithashtu nisur nga rezultatet e hetimit administrativ, ministrja e Mbrojtjes i pati propozuar Presidentit të Republikës edhe shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë