Policia ka nisur verifikimet për dy punonjëset e pikës së këmbimit valutor në zonën e Astirit në Tiranë, pikë e cila u grabit dje nën kërcënimin e armës.
Dyshohet se autori ende i paidentifikuar, kishte dijeni për shumën e parave që ndodheshin në pikë.
Verifikimet e dy punonjëseve kanë nisur me dyshimet, nëse ndonjëra prej tyre ka bashkëpunuar me autorin nisur edhe nga dera që ka qenë e hapur për t’u futur autori lehtësisht në vendin ku ndodheshin paratë.
Pika e këmbimit valutor u grabit në zonën e Unazës së re në Tiranë pak minuta pasi kishte nisur aktivitetin mëngjesin e të shtunës.
Autori dyshohet se ka marrë të paktën 30 mijë euro përmes kërcënimit të punonjëseve.
Grabitësi, i cili u fut në ambientet e brendshme të pikës së këmbimit valutor, ishte i veshur me të zeza, me fytyrën e mbuluar me maskë anti-covid dhe me syze të errëta.
Siç duket edhe nga pamjet, autori, është futur në pikët e transfertave të parave dhe këmbimit valutor dhe me një armë ka kërcënuar punonjëset që ndodheshin aty.
Në Exchange kanë qenë dy punonjëse, të cilat janë detyruar që të hapnin sirtarët ku mbanin paratë, ndërsa autori, që ishte maskuar me një maskë anti-covid, ka nisur që të marrë paratë, dhe t’i fusë ato në trup.
Sipas policisë pasi ka marrë një shumë parash ai është larguar me biçikletë.
Nën kërcënimin e armës kërkon paratë dhe në një moment godet me grusht në shpinë njërën prej punonjëseve.
Policia e Tiranës vendosi 5 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që mund të japë informacion të vlefshëm për identifikimin e autorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.