Gazeta Si – Një pikë e këmbimit valutor është grabitur te Ura e Institutit në zonën e Kamzës në Tiranë ditën e enjte, ku persona të maskuar arritën të merrnin një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetra.
Dyshohet se autorët kanë qenë 3 persona, kanë çarë muret e biznesit ngjitur për të depërtuar më pas brenda pikës së “Exchange”-it, duke marrë paratë. Më pas, ata u larguan me një makinë tip “BMW”, e cila shfaqet edhe në pamjet e kamerave të sigurisë.
Pronari i “Exchange”-t, që ndodhet në rrugën “Kastriotët”, 59-vjeçari F.Gj., ka njoftuar policinë mëngjesin e kësaj të premteje.
Autorët e maskuar kanë arritur të marrin vetëm paratë që ndodheshin në sirtarë dhe nuk kanë arritur të hapin kasafortën.
Burime pranë Komisariatit nr. 3 në Tiranë bëjnë me dije se muri është çarë rreth 40 cm. Nga vëzhgimi që hetuesit kanë bërë, autorët vijnë në këmbë, çajnë murin, marrin paratë dhe më pas po në këmbë largohen nëpër rrugica.
Biznesi ishte i pajisur me sistem alarmi, por në momentin që autorët kanë hyrë brenda nuk ka rënë dhe si pasojë autorët kanë punuar të qetë, çfarë ka bërë që ngjarja të mësohet me vonesë dhe hajdutët të largohen pa gjurmë.
Për këtë grabitje nuk ka ende njoftim zyrtar nga Policia e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




