Ka ndodhur

Grabitet nën kërcënimin e armës një argjendari në Valias, dyshohet se autori e kishte porositur online

Gazeta Si - Dy persona, ende të paidentifikuar dyshohet se në kërcënimin e një arme zjarri kanë grabitur disa aksesorë floriri në zonën e Valiasit në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 15:35 dhe rasti është kallëzuar nga 22-vjeçari, i cili është punonjës i argjendarisë.

“Ditën e djeshme, rreth orës 15:35, në Valias, 2 shtetas ende të paidentifikuar, dyshohet se në kërcënimin e një sendi të fortë në dukje armë zjarri, i kanë vjedhur disa aksesorë floriri, (porosi të bëra online), shtetasit 22 vjeç, punonjës i një argjendarie".

Sipas burimeve, punonjësi argjendarisë, L.B., dhe një miku i tij polic, janë grabitur nën kërcënimin e armës nga dy persona që ende nuk janë identifikuar nga policia. Atyre u është grabitur një varëse floriri me vlerë 8 milionë lekë të vjetra.

Sipas verifikimeve, L.B., kishte për qëllim që të shiste varësen e shtrenjë te një person tjetër me të cilin kishin folur në rrjetet sociale.

Takimin e kishin lënë në vendin ku i kishte thënë blerësi. Punonjësi i argjendarisë, pasi ka patur një varëse të shtrenjë ka lajmëruar shokun e tij, një efektiv policie të komisariatit nr 4.

Sipas dëshmisë së tyre, pasi kanë mbërritur në vendin e kërkuar nga klienti, një automjet me ngjyrë të zezë, tip "Golf 5", me targa të huaja ka ndaluar afër tyre.

Nga mjeti kanë dalë dy persona të maskuar me kapuç dhe shall ku njëri prej tyre mbante një automatik në dorë.

Dyshohet se autori madje ka qëlluar në ajër për të frikësuar dy personat. Më pas autori tjetër ka hapur derën e makinës ku ndodheshin L.B., dhe agjenti e i ka marrë varësen.

Menjëherë më pas punonjësi i argjendarisë ka shkuar në komisariatin nr.5 ku ka bërë kallëzimin. Efektivi i policisë në momentin që ka ndodhur ngjarja ka patur me vete pistoletën e shërbimit, por që nuk e ka përdorur. Në vendngjarje është gjetur një gëzhojë që dyshohet se i përket automatikut të autorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë