Teknologji dhe Inovacion

Google sjell Bard, rivalin e ChatGPT

Google do të sjellë së shpejti rivalin e chatbot-it ChatGPT. Bard është chatbot-i me inteligjencë artificiale i cili para se të hidhet në treg do të përdoret nga një grup testuesish. Bard është ndërtuar mbi modelin ekzistues të Google Lamda, i cili është krahasuar me trurin  e një njeriu e madje një prej inxhinierëve besonte se Lamda kishte ndjeshmëri.

Gjigandi i teknologjisë ka njoftuar gjithashtu se do ketë mjete të reja të Inteligjencës artificiale për të përdorur motorët e kërkimit. Chatbot-et e AI janë krijuar për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të gjetur informacione. Për të arritur këtë ata përdorin të gjitha njohurit të cilat tashmë janë në internet ndaj ka shqetësime se ndonjëherë ata mund të përfshijnë informacione fyese apo të pavërteta.

“Bard do të arrijë të kombinojë njohuritë me fuqinë, inteligjencën dhe krijimtarinë”,  thotë Sundar Pichai, CEO i Google.

Pichai shtoi se ai dëshiron që shërbimet e AI të Google të jenë “të guximshme dhe të përgjegjshme”, por nuk shtjelloi se si Bard do të parandalohej nga ndarja e përmbajtjeve të dëmshme ose abuzive.

Njoftimi i Google vjen në një kohë kur flitej se Microsoft është gati të sjellë chatbotin e AI-së ChatGPT në motorin e tij të kërkimit Bing, pas një investimi miliarda dollarësh në firmën pas tij, OpenAI.

ChatGPT mund t’u përgjigjet pyetjeve dhe të kryejë kërkesat në formë teksti, bazuar në informacionin nga interneti. Mund të krijojë fjalime, këngë, artikuj lajmesh dhe ese studentësh.

Sundar Pichai tha se njerëzit po përdorin kërkimin në Google për të bërë pyetje më të komplikuara se më parë.

“Inteligjenca artificiale mund të jetë e dobishme në këto momente, duke sintetizuar njohuri për pyetjet ku nuk ka asnjë përgjigje të duhur”, shkroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë