Përdoruesit e Android në Ukrainë do të marrin sinjalizime për sulm ajror direkt në telefonat e tyre përpara se sulmet e pritshme të ndodhin pranë tyre, ka njoftuar ditën e djeshme Google. Në një postim të përditësuar në blog, kompania tha se po punon me qeverinë ukrainase për të krijuar një sistem alarmi për telefonat Android në vend. Funksioni u zbulua për herë të parë nga XDA-Developers, një komunitet i zhvillimit të Softuerit.
“Tragjikisht, miliona njerëz në Ukrainë tani mbështeten në alarmet e sulmeve ajrore për t’u përpjekur të shpëtojnë”, shkruan Google në njoftim. Alarmi i Android do të bazohet në sinjalizimet që janë dërguar tashmë nga qeveria ukrainase dhe është përshtatur nga një sistem i ndërtuar për dërgimin e shpejtë të paralajmërimeve për tërmetet, sipas Dave Burke, nënkryetar i inxhinierisë për Android.
Google tashmë e ka vënë aplikacionin Ukrainian Alarm në Google Play Store, i cili u dërgon njoftime për sulm ajror ukrainasve në rajonet me alarme aktive. Sistemi i ri i sinjalizimeve filloi ditën e djeshme (10 mars) dhe do të përhapet në të gjithë telefonat Android në Ukrainë në ditët në vijim, thotë Burke.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Google ka zvogëluar praninë në Rusi, duke përfshirë ndalimin e të gjitha shitjeve të reklamave dhe heqjen e aplikacioneve të mediave të financuara nga shteti rus nga Google Play në Europë.
“Pushtimi rus i Ukrainës është edhe një tragjedi dhe një fatkeqësi humanitare në zhvillim e sipër”, shkroi Google më 1 mars. Kompania tha se po punonte për të “mbështetur njerëzit në Ukrainë përmes produkteve tona, për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve të sigurisë kibernetike, për të nxjerrë informacione me cilësi të lartë dhe të besueshme dhe për të garantuar sigurinë e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre në rajon”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



