Drejtësia

Gonzato: Verifikoni saktë pasurinë e politikanëve!

Nga Gazeta ‘Si’– Ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato, i cili foli gjatë takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, ka kërkuar që të verifikohet pasuria e politikanëve.

Sipas tij, ky element i luftës ndaj korrupsionit është shumë i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së.

“Në fushën e korrupsionit, masat e kërkuara përfshijnë verifikimin efektiv të deklaratave të pasurisë. Kodi Penal duhet të ndryshohet, përfshirë dekriminalizimin e shpifjes. Të drejtat e medias, liria e shprehjes, siguria e gazetarëve dhe financimi i shtresave në nevojë duhet të fuqizohen”, tha Gonzato.

Më tej, ai shtoi se mbyllja e kapitujve është një sfidë më e madhe se hapja e tyre dhe se aktualisht fokusi është tek përmbushja e piketave të përkohshme të vendosura nga shtetet anëtare si provë e vendosmërisë për reformat e nevojshme.

“Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt negociues dhe puna po vazhdon për të hapur grupimin e fundit mbi bujqësinë përpara fundit të këtij viti. Ky është një sukses i qartë për Shqipërinë, por është vetëm fillimi, sepse në fakt është fundi i fillimit. Mbyllja e kapitujve është një ushtrim shumë më i vështirë sesa hapja e tyre.

Aktualisht, vëmendja është përqendruar tek përmbushja e piketave të përkohshme, me objektivat e ndërmjetme që shtetet anëtare i kanë përcaktuar Shqipërisë si provë e vendosmërisë së saj për reformat e nevojshme”, theksoi Gonzato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë