Politike

BE-SHBA përshëndesin zgjedhjen e Brahos në krye të SPAK: Bashkëpunim dhe partneritet

Gazeta Si – Përfaqësitë diplomatike të Bashkimit Europian të SHBA-ve në Tiranë, të pranishme gjatë gjithë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kanë përshëndetur zgjedhjen e Klodian Brahos si kreun e ri të SPAK-ut.

Silvio Gonzato i BE, përgëzoi Brahon dhe tha se mirëpret bashkëpunimin me të. Ambasadori u shpreh se SPAK ka një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“SPAK luan një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Ju e dini që ky është një nga kërkesat kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dje thamë që ajo që kërkoj është një kryetar të ri për SPAK-un që do vijojë punën e tij. Ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele të larta pavarësie, integriteti, rezistence në punë dhe angazhim ndaj standardeve të BE-së. Tashmë më lejoni të përgëzoj zotin Braho në detyrën e tij të re dhe që me kërshëri mirëpresim bashkëpunimin me të në muajt dhe në vitet në vijim”, tha Gonzato.

Ambasada amerikane në Tiranë

Ndërsa në postimin e ambasadës amerikane në Tiranë në rrjetet sociale, fillimisht përgëzohet Altin Dumani, për drejtimin e deritanishëm e institucionit të drejtësisë.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës”, thuhet në njoftim.

Më tej, saktësohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin me kënaqësi që të vijojnë bashkëpunimin edhe me kreun e zgjedhur të SPAK, Klodian Brahon.

“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Brahon, në rolin e tij të ri në krye të SPAK”, mbyllet njoftimi i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Braho u zgjodh me shtatë vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në garë ishin edhe Adnan Xholi për të cilin votuan tre anëtarë, Elvin Gokaj për të cilin votoi një anëtar dhe Doloreza Musabelliu, e cila nuk mori asnjë votë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë