Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se Komisioni Evropian është gati për të mbështetur planet ambicioze të Shqipërisë, teksa nënvizoi se është thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave
Në fjalën e tij në nisjen e edicionit të nëntë të Shkollës së Integrimit Europian Gonzato nënvizoi se, KE është gati për të mbështetur planet ambicioze të Shqipërisë.
“Na duhet të përfitojmë nga kjo mundësi, sepse në kontekstin gjeopolitik më shumë sesa kurrë, vendet e BE-së kuptojnë që duhet të kompletohemi, jo të zgjerohemi, por të kompletohemi që t’i japim fuqinë dhe kapacitetin për të vepruar BE-së. Kemi po kështu nevojë që të kompletojmë për të ndjekur ambicien tonë të autonomisë strategjike”, theksoi ai.
Gonzato u shpreh se, javën e kaluar KE gjithashtu miratoi Agjendën e Reformave për Planin e Rritjes së Shqipërisë.
“Ideja kryesore e këtij plani të rritjes është për të sjellë disa prej përfitimeve të anëtarësimit të BE-së qysh tani tek popujt e Ballkanit Perëndimor. Kjo përfshin mundësitë për të integruar më mirë ekonomitë e tyre me BE-në, të kihet akses në pjesë të tregut të përbashkët të BE-së dhe të ofrohen nivele të tjera të mbështetjes financiare me investime shtesë”, tha ai.
Gonzato nënvizoi se rruga tashmë është e qartë dhe duhet të jetë thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave.
Ndërkohë kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Jorida Tabaku u shpreh se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm në raport me BE-në.
“Kemi pasur shumë punë për të vendosur një axhendë të përshtatshme dhe me prioritet dhe ambasadori nuk hoqi dorë, për të zhvilluar edhe këtë vit me kapacitet të plotë shkollën. Këtë vit kemi një numër rekord pjesëmarrësish, 225 persona, të cilët kanë rezultuar në këtë klasë sot që shpresoj që të jetë më e mira nga të gjitha grupet që ne kemi nisur. Ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm, janë hapur negociatatat dhe ka një sfidë të jashtëzakonshme për administratën publike, bashkitë që do të zbatojnë 70% të legjislacionit europian, por edhe për biznese”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, grupet e negociatave duhet të zgjerohen dhe të përfshijnë të rinjtë.
“Ne jemi edhe në një ndryshim kulturor, element ky që Shqipëria duhet ta përçojë me një forcë pozitive të ndryshimit, në të gjithë sektorët, por sidomos edhe te biznesi. Jemi përpjekur që të kemi përfaqësues nga administrata qendrore, pushteti lokal, por edhe biznesi. Të rinj që sot janë në Dhoma Tregtie, pjesë e sindikatave dhe shpresoj të jenë pjesë e grupeve të negociatave”, tha Tabaku.
Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e konsideroi sot integrimin në Bashkimin Europian, objektivin strategjik kombëtar më të rëndësishëm.
Spiropali theksoi se pavarësisht ndryshimeve dhe armiqësive të pafundme që prodhon nervi i politikës së ditës në vend, integrimi europian i Shqipërisë është objektivi ynë strategjik kombëtar më i rëndësishëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.