Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në një takim me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, tha se Gjykata Kushtetuese ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit institucional, duke ruajtur cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.
“Rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë”, tha Gonzato.
Ambasadori shtoi se BE-ja do ta përfshijë Gjykatën Kushtetuese si përfituese në projektet e ardhshme të Bllokut.
“Planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së. Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin europian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces,” tha Gonzato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




