Ekonomi

Gonxhe: Po përgatisim një portal për eksportuesit dhe certifikimin e produkteve. Bashkëpunimi me privatin, sfidues

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe njoftoi se qeveria po përgatit një portal unik dedikuar eksportuesve shqiptarë dhe produkteve të tyre, si një ndër kriteret për të hyrë në tregjet europiane.

Sipas ministrit, në portal, do të ketë mundësi për adresimin e problematikave si edhe informacione mbi standardet dhe certifikimet e produkteve e shërbimeve. “Së bashku me AIDA-n, kemi filluar të konceptojmë krijimin e një portali unik për të gjithë eksportuesit tanë, ku përtej njohurive mbi mundësitë e tregjeve të huaja, do ofrohet dhe një informacion i përbashkët mbi certifikimet e standardet për produktet e shërbimet e ndryshme, si dhe proceset për përfitimin e tyre”, tha Gonxhe gjatë një mbledhje me Këshillin e Investimeve.

Më tej ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë midis qeverisë dhe sektorit privat, si rruga që mund të zhvillojë më tej ekonominë.

“Nevojat për kualifikim dhe ekspertizë të shtuar, nevoja për analize te kostove te larta si edhe shkëmbimi efikas i informacionit mes sektorit publik dhe atij privat mbeten ende sfiduese, që kërkojnë angazhim të përbashkët për t'u kapërcyer. Qeveria shqiptare, përmes institucioneve që drejtojmë, është e angazhuar plotësisht për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë, për të forcuar kapacitetet e inspektorateve, dhe për të ndihmuar bizneset tona që të përmbushin standardet evropiane.

Ky proces ka hyrë tashmë në një drejtim pa kthim, dhe sektori privat shqiptar duhet të jetë i ndërgjegjshëm jo vetëm për ti adoptuar këto standarde, por për ti paraprirë këtyre ndryshimeve duke i adoptuar ato paraprakisht. Mbi të gjitha, në këtë mbledhje dua të nënvizoj rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Vetëm përmes dialogut të hapur dhe veprimit të koordinuar mund të arrijmë që produktet shqiptare të jenë konkurruese në tregjet evropiane dhe më gjerë”, deklaroi Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë