Trashëgimi

Gonxhe: Do krijohet ‘CulturAlb’, një fondacion publik ku artizanatët do zënë vend qendror

Nga Gazeta ‘Si’– Ministri i Kulturës Blendi Gonxhe ndërsa po fliste për bilancin e turizmit, njoftoi se do të ngrihet një Fondacion publik i cili synon fuqizimin e prodhuesve tradicionalë shqiptarë.

Gonxhe tha se artistët dhe artizanët do të zënë një vend qendror.

Sipas tij, dhuratat “Made in Albania” në sitet kulturore dhe muze janë jo vetëm një mënyrë për të promovuar kulturën shqiptare, por edhe për t’i dhënë turistit mundësinë të largohet me një copëz kujtimi origjial.

“Pikërisht për këtë arsye, gjatë këtij viti do të themelojmë Fondacionin Publik “CulturAlb”, i cili synon fuqizimin e prodhuesve tradicionalë dhe ekonomisë kreative vendore. Ky instrument do të garantojë një rrjet klientele ekskluzive brenda dhe jashtë vendit, duke gjeneruar turizëm, punësim dhe duke e bërë kulturën tonë edhe më të prekshme.

Për Shqipërinë 2030 kemi parashikuar një program të gjerë investimet në infrastrukturën kulturore, për ta kthyer vendin në një qendër të kulturës evropiane. Ambicia është kjo, të jemi një qendër në Europën kulturore.

Do të rilindin, do të ngrihen nga e para dhe do të hapin dyert Teatri Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Arteve të Bukura, Biblioteka Kombëtare, etj., ndërsa do të ngrihen muze të rinj si Muzeu i Filmit, i Arbëreshëve, etj., së bashku me muze të tjerë në qytetet kryesore të Shqipërisë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë