Një vaksinë ekzistuese e meningjitit, mund të përdoret për të ndihmuar në mbrojtjen kundër gonorresë mes rasteve në rritje globale dhe rritjes së rezistencës bakteriale ndaj ilaçeve, sipas një studimi të ri.
Gonorreja është një infeksion seksualisht i transmetueshëm (IST), i cili nëse nuk trajtohet, mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë infertilitetin te gratë, transmetimin te foshnjat e porsalindura dhe rrezikun e rritur të HIV-it.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2020 janë regjistruar më shumë se 80 milionë raste të reja të infeksionit në mbarë botën.
Studiuesit tregojnë se rënia e efektivitetit të trajtimeve për bakteret përgjegjëse – Neisseria gonorrhoeae – dhe mungesa e një vaksine të licencuar për të parandaluar infeksionin, ka ngritur shqetësime rreth mundësisë që gonorreja mund të bëhet më rezistente ndaj trajtimit në të ardhmen.
Në vitin 2016, OBSH vendosi një objektiv për të reduktuar incidencën e gonorresë me 90% deri në vitin 2030, megjithatë asnjë vaksinë efektive nuk është zhvilluar deri më tani. Tre studime të reja tregojnë se vaksina e meningjitit “4CMenB” mund të ofrojë mbrojtje të konsiderueshme për gonorreja. Deri më tani, asnjë studim nuk kishte vlerësuar ndikimin shëndetësor dhe efektivitetin e kostos së përdorimit të një vaksine për të parandaluar gonorrenë.
Një studim i udhëhequr nga profesori Peter White, Kolegji “Imperial” në Londër, ishte analiza e parë e efekteve shëndetësore dhe ekonomike të përdorimit të një vaksine për të mbrojtur kundër gonorresë, e cila është përgjegjëse për ndikimin e saj në shkallët e ardhshme të infeksionit.

Bazuar në analizën e tyre dhe një ekuilibër të rasteve të parandaluara kundrejt kostos së vaksinimit, studiuesit rekomandojnë vaksinimin e MSM, gjë që do të parandalonte rreth 110,000 raste dhe do të kursente 8 milionë funte gjatë 10 viteve.
White tha se me një vaksinë specifike për gonorrenë që mund të duhen vite për t’u zhvilluar, një pyetje kyçe për politikëbërësit është nëse vaksina e meningjitit 4CMenB duhet të përdoret kundër infeksionit të gonorresë.
“Analiza jonë tregon që dhënia e vaksinës për ata që janë në rrezik, më të madh të infeksionit është mënyra më ekonomike për të shmangur një numër të madh rastesh”, shtoi ai.
Një studim i efektivitetit të vaksinës së meningjitit 4CMenB, në një program vaksinimi në shkallë të gjerë në Australinë e Jugut tregon se dy doza të vaksinës janë 33% efektive kundër gonorresë tek adoleshentët dhe të rinjtë.
Ndërsa një studim i të dhënave shëndetësore për 16-23-vjeçarët në New York dhe Philadelphia, në SHBA, gjatë viteve 2016-2018 tregon se dy doza të së njëjtës vaksinë ofrojnë 40% mbrojtje kundër gonorresë.
Winston Abara, nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se gjetjet e tyre tregojnë se vaksinat e meningjitit janë mesatarisht efektive në mbrojtjen kundër gonorresë dhe mund të kenë një ndikim të madh në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes.
Gjetjet janë publikuar në tre punime të lidhura të botuara në revistën mjekësore “The Lancet Infectious Diseases”.
Burimi: The Independent/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




