Pamja e një makine mbi një gomë pothuajse të shfryrë, ose ndërrimi i gomave në anë të rrugës janë ende të zakonshme. Po kështu është edhe shpenzimi i zëvendësimit të gomave që janë konsumuar para kohe. Ndonjëherë, gomat janë hallka e dobët e makinës. Por a mund të ndryshojë kjo?
Goma e zezë e mbushur me ajër, e përdorur për herë të parë në automjete në vitet 1890, tashmë mund të dalë jashtë përdorimit.
Në një pistë testimi në Luksemburg, një Tesla Model 3 po bën prova me katër goma pa ajër, të prodhuara nga prodhuesi amerikan Goodyear.
Disa gypa plastike janë të lidhur me një gomë të hollë. Ato përkulen sa herë që makina lëviz.
Michael Rachita, menaxher i Goodyear, thotë se ka akoma disa përmirësime që mund të bëhen por deri tani është një risi që premton shumë.
Makinat elektrike dhe lëvizshmëria autonome po ndryshojnë nevojat e gomave. Kompanitë tani duan automjete të fortë me goma rezistente dhe të riciklueshme.
Edhe pse gomat tradicionale do të kenë gjithmonë vendin e tyre, nevojitet një përzierje zgjidhjesh.
“Ndërsa kalojmë në një botë ku automjetet autonome po bëhen më të zakonshme dhe shumë qytete po ofrojnë lehtësira për to, të kesh një gomë pa qenë nevoja për mirëmbajtje është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë Rachita.
Ai thotë se gomat po testohen gjatë gjithë kohës, nën ngarkesa dhe shpejtësi të ndryshme. Janë mijëra kilometra pa ndalesë. Disa gypa deformohen, disa thyhen, por strukturat vazhdojnë të funksionojnë të sigurta.
“Është test-mëso, test-mëso”, thotë ai. “Por ne jemi në një fazë ku realisht jemi të sigurt se do të funksionojë”.
Rivali i Goodyear, Michelin, ka punuar me General Motors (GM) për gomat pa ajër që nga viti 2019. Në shkurt pati raportime se Sistemi unik i gomave i papërshkueshëm nga shpimi i Michelin (Uptis) mund të debutojë në një makinë të re elektrike Chevrolet Bolt që po planifikohet nga GM , ndoshta që në vitin 2024.
Megjithatë, Rachita thotë se më e rëndësishme se perceptimi i tyre, është ajo që vendosin rregullatorët.
Qeveritë do të kërkojnë teste rigoroze të sigurisë dhe një standardizim të rregullave. Dhe prodhuesit e gomave do të duhet të investojnë shumë në objektet e reja prodhuese dhe të zhvillojnë zinxhirët e furnizimit. Do të duhen vite.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.