Futboll

Gola, shtylla, penallti, VAR e polemika tek Inter-Atalanta! Dhe feston Milani

Ndeshje rokamboleske në Milano mes Interit dhe Atalantës, e mbyllur në barazim, 2-2. Lautaro kalon shpejt në avantazh Interin, Malinovski dhe Toloi përmbysin rezultatin. Barazon Xheko në të dytën dhe Dimarko humb penallti, kurse Pikolit i anulohet goli i fitores në fundin e nxehtë të ndeshjes. Milani kryeson i vetëm tashmë, të paktën për një natë.

Rezultati i ndeshjes ka lënë të kënaqur vetëm rivalët kuqezinj për titull, por Interi dhe Atalanta duhet të jenë krenarë për spektaklin e dhuruar nga fillimi në fund. Ishin, në një farë mënyre, 4 ndeshje në 1, me një rekord gjuajtjesh: 40! Interi e ndal këtu, te 18-a, serinë e fitoreve në shtëpi në kampionat.

Inzagi nuk kishte grumbulluar Korrean dhe i besoi dyshes Xheko- Lautaro, kurse në të djathtë luajti Darmian para Dumfries për duelin delikat me Gosens. Në krahu tjetër Perisiç përballë Xapakostës. Gasperini rekuperoi Pesinën dhe e aktivizoi atë pas Zapatës dhe Malinovskit. Demirali luajti titullar në mbrojtje, në vend të Gjimshitit, që u aktivizua në pjesën e dytë.

Xheko humbi një rast ideal që në minutën e 3-të, por menjëherë më pas Lautaro, pas krosit të të zakonshmit Barela, ndezi “Meazza”-n me një gjuajtje të bukur. Atalanta duket në kurth, ndërsa Xheko humb edhe një rast për 2-0. Pas çerek ore muzika nis të ndryshojë dhe Malinovski bën një kryevepër nga 25 metra. Handanoviç nuk mund të arrijë dhe 1-1. Atalanta përmbys gjithçka me Toloin dhe Interi humb kthjelltësinë.

Në pjesën e dytë Handanoviç bllokon Pesinën, duke mbajtur Interin në lojë. Me kalimin e minutave zikaltrit përpiqen t’i shtojnë xhirot dhe Xheko arrin të barazojë. Në fund Demiral bën një çmenduri, duke prekur topin me dorë. Penallti për Interin, por Dimarko dodet traversën. Nuk përfundon këtu, pasi pas një gabimi të Dumfries, Pikoli mposht Handanoviçin, por më parë topi kishte kaluar vijën fundore dhe gjithçka mbyllet 2-2.

Më parë Milani kishte fituar 1-2 në fushën e Specias, falë golave të Daniele Maldinit dhe Brahim Diaz. Kuqezinjtë janë ngjitur në kuotën e 16 pikë pas 6 ndeshjesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë