Nga Gazeta Si – Kur bëhet fjalë për ndeshje dramatike, plot gola dhe emocione, tifozët e Inter-it kanë me dhjetëra kujtime të pashlyeshme.
Megjithatë, disa nga më të paharrueshmet janë përballjet kundër Romës.
Gjatë viteve, dy skuadrat janë ndeshur për trofe të shumtë, duke prodhuar duele spektakolare e plot gola.
Në 184 përballje në kampionat mes zikaltërve dhe verdhekuqve, janë shënuar gjithsej 532 gola – 299 nga Inter dhe 233 nga Roma – duke e bërë këtë sfidë përplasjen me më shumë gola në historinë e futbollit italian.
Një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave që kanë luajtur këtë sfidë?
Ronaldo, “Fenomeni.” Sulmuesi brazilian luajti tre herë në “Stadio Olimpico” me fanellën zikaltër, duke shënuar 4 gola.
Më 11 prill 1998, Ronaldo bëri paraqitjen e tij të parë në Romë, duke realizuar një dygolësh vendimtar.
Të dy golat erdhën në të njëjtën mënyrë: pasi dribloi portierin, ai e dërgoi topin me qetësi në rrjetë – një lëvizje tipike e superyllit brazilian.
Vitin pasues, Ronaldo e përsëriti suksesin me një tjetër dygolësh.
Në sezonin 1998/99, Inter mposhti Romën 5-4 në “Olimpico” në një ndeshje spektakolare, ku shënuan dy herë Ivan Zamorano dhe një herë Diego Pablo Simeone.
Në fillim të viteve 2000, përballjet Roma–Inter ishin përplasje me peshë të madhe, pasi të dyja skuadrat luftonin shpesh për titullin e Serie A.
Ndërmjet viteve 2006 dhe 2008, zikaltërit arritën tre fitore rradhazi – suksese vendimtare në ndeshje që luajtën një rol kyç në garën për kampionatin.

Në sezonin 2006/07, një gol i vetëm nga Hernan Crespo mjaftoi për të mposhtur verdhekuqtë.
Megjithatë, dy sezonet pasardhëse treguan një histori krejt tjetër – Inter shënoi nga 4 gola në secilën përballje.
Në sezonin 2007/08, përballja në “Olimpico” u hap me një penallti të Zlatan Ibrahimovic, e cila u barazua shpejt nga Perrotta.
Por vetëm 4’ më vonë, Crespo, Julio Cruz dhe Ivan Cordoba shënuan 3 gola brenda 11 minutave, duke e përmbysur ndeshjen dhe siguruar 3 pikë të çmuara për skuadrën e Roberto Mancinit.
Sezoni 2008/09 solli një tjetër spektakël me 4 gola në Serie A, megjithëse këtë herë ndeshja ishte më e njëanshme se një vit më parë.
Inter zhbllokoi rezultatin herët me një gol të Ibrahimovic dhe në pjesën e dytë vulosi fitoren me 3 gola të tjerë: një tjetër nga suedezi, si dhe golat e Dejan Stankovic dhe Victor Obinna, i cili shënoi golin e tij të vetëm me fanellën zikaltër.
Inter ka fituar 4 ndeshjet e fundit të Serie A në fushën e Romës.
Më 4 Dhjetor 2021, zikaltërit mposhtën Romën me rezultatin 3-0, ku 3 golat u shënuan në pjesën e parë.
Calhanoglu hapi rezultatin me një “gol olimpik” drejtpërdrejt nga goditja e këndit, ndërsa Edin Dzeko dyfishoi avantazhin pas një aksioni të shkëlqyer kolektiv.
Goli i tretë ishte një moment i paharrueshëm për Denzel Dumfries: holandezi, i shërbyer në mënyrë perfekte nga një krosim i Bastonit, shënoi golin e tij të parë me fanellën e Inter-it.
Në sezonin 2022/23, Interi fitoi 2-0 me gola nga Dimarco dhe Lukaku, por dy përballjet e fundit në “Olimpico” janë edhe më interesante.

Në sezonin 2023/24, fitorja 4-2 e Inter-it shënoi një pikë kthese vendimtare.
Acerbi kaloi zikaltërit në avantazh me kokë, por Roma reagoi dhe përmbysi rezultatin në 2-1 në fund të pjesës së parë me gola nga Mancini dhe El Shaarawy.
Ishte një goditje e papritur për Inter-in, skuadër e mësuar të dominojë çdo kundërshtar.
Megjithatë, pjesa e dytë solli një transformim të plotë. Intensiteti dhe vendosmëria e zikaltërve ndryshuan rrjedhën e ndeshjes nën shiun e dendur të Romës:
Thuram barazoi, më pas një autogol i Angelinos i kaloi sërish në epërsi, dhe Bastoni vulosi fitoren. Interi mori tre pikë të arta, që e shtynë edhe më pranë “Yllit të Dytë”.
Po aq e paharrueshme përballja e fundit mes Romës dhe Inter-it që u zhvillua më 20 Tetor 2024.
Ashtu si këtë sezon, ndeshja erdhi menjëherë pas pushimit të Tetorit për ndeshjet ndërkombëtare.
Ishte një sfidë e vështirë dhe e luftuar fort kundër një Rome solide dhe të organizuar mirë.
Zgjidhja erdhi nga një kampion i vërtetë: Lautaro Martinez.
Kapiteni i Interit shënoi golin e vetëm të ndeshjes me një përfundim të shkëlqyer në fund të një kundërsulmi rrufe.
Ishte një gol historik: Lautaro barazoi Istvan Nyers me 133 gola për Inter-in, duke u bërë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e klubit.
Sot, ai ka arritur kuotën e 158 golave, duke barazuar Luigi Ceveninin — dhe kapiteni nuk jep asnjë shenjë se do të ndalojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



