Futboll

Gol europian për Berat Gjimshitin, mbrojtësi kuqezi shënon në ndeshjen e 200-të me Atalantën

Gazeta Si – Berat Gjimshiti rigjen golin europian me Atalantën. Kapiteni i Kombëtares shqiptare shënoi sot golin e vetëm të ndeshjes ndaj Shturm Gracit në Ligën e Europës, duke kualifikuar skuadrën e tij. ishte kjo mënyra më e mirë për të festuar ndeshjen numër 200 me fanellën e Atalantës për mbrojtësin kuqezi.

Pas kësaj fitoreje 1-0, Atalanta është skuadra e parë që kualifikohet për në fazën me eliminim direkt të kompeticionit. Ishte një ndeshje me intensitet, por jo spektakolare, e ndikuar edhe nga terreni i rënduar nga shiu.

Berat Gjimshiti vendosi rezultatin e ndeshjes në minutën e 50-të, pas një rrëmuje në zonën e Shturmit. Mbrojtësi kuqezi po luan në çdo ndeshje me Atalantën, kampionat dhe Ligë Europe. Ai është një nga më të mirët për bergamaskët, ndërsa sot ka shënuar edhe një gol me peshë.

Gjimshiti është vlerësuar si një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes. Pas pak ditësh ai do të grumbullohet me Kombëtaren për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë