Nga Gazeta Si- Prej muajit maj, shërbimi i emergjencës 127 ka regjistruar një rritje dramatike të telefonatave, duke rritur shqetësimin për pasojat e vapës së fortë në verë.
Në një prononcim për Gazetasi.al, drejtori i Qendrës Kombëtarë të Urgjencës, Skënder Brataj konfirmon se në 24 orë regjistrohen mbi 1300 telefonata dhe afro 400 vizita në banesë tek pacientët që kanë patur nevojë për ndihmë urgjente mjekësore.
“Trendi i rritjes së numrit të thirrjeve drejt numrit jeshil 127 ka filluar në maj. Aktualisht jemi në shifrat në rang kombëtar me mbi 1300 telefonata, ku vendin kryesor e zënë problemet nga i nxehti. Por ka dhe raste të helmimit nga ushqimi si dhe urgjencat kardiake që janë të zakonshme në stinën e verës”, tha Brataj.
Sipas tij, me rritjen e temperaturave, risku për shtimin e numrit të pacientëve në Urgjencë është i lartë ndaj dhe kujdesi duhet të shtohet.
“Ne e dimë tashmë që goditjet nga dielli sjellin probleme për pacientët kronikë, të moshuarit si dhe fëmijët, ndaj rekomandimi kryesor është shmangia e daljeve në orët e pikut. Po ashtu, e rëndësishme është hidratimi, konsumimi sa më shpesh i ujit të pijshëm, ushqyerja me perime e fruta dhe mbajtja e ambientit sa më të freskët”, rekomandojnë ekspertët e shëndetit publik.
Goditja nga dielli nuk është vetëm lodhje, ajo mund të sjellë dehidratim të tepërt, kriza hipertensive, madje edhe probleme me veshkat, veçanërisht te kronikët.
Helmimet ushqimore, që zakonisht manifestohen në vapë, janë po ashtu në rritje dhe ushqimet e prishura shpejt në kushte të nxehta mund të shkaktojnë komplikacione të menjëhershme.
“Ne jemi në terren 24/7 dhe po përballemi me një valë rastesh emergjente që nuk i kemi parë më parë në këtë intensitet”, shprehet Brataj, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit publik.
Instituti i Shëndetit Publik (ISH) rekomandon rritjen e kujdesit tek të moshuarit dhe fëmijët, monitorimin e tensionit të gjakut në mënyrë të përditshme te kronikët dhe mos neglizhoni simptomat fillestare.
Këshillat kyçe për qytetarët:
-Shmangie e pikave të vapës, midis orës 11:00 dhe 17:00.
-Hidratim i vazhdueshëm
-Konsumoni 1 gotë ujë çdo 1–2 orë, edhe nëse nuk ke etje
-Hani vakte të lehta, fruta, perime për të mos rënduar metabolizmin në kushte vape.
-Qëndroni në ambiente të freskëta
-Vishuni lehtë, me veshje pambuku dhe ngjyra të hapura kur dilni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.