Gazeta Si – Që ky do të jetë një Botëror anormal, e dinë mirë edhe në Katar. Sezoni, vendi, polemikat, çmimet, temperaturat e larfta dhe oraret. Gjithçka është e çuditshme, ndërsa për Spanjën ka një problem më shumë. ‘La Roja’ duhet të bëjë pa një element shumë të rëndësishëm, që nuk ka munguar në asnjë Botëror për të.
Në listën e mallrave të ndaluara në Katar janë 9 pika, ku e fundit është e dhimbshme për t’u pranuar nga Spanja. Lista nis me narkotikët, vazhdon me armët, substancat radioaktive, produktet false, objektet fyese për besimtarët, imazhet e dhunës ekstreme, pornografia dhe pijet alkolike. Deri këtu çdo gjë në rregull.

Pika e fundit ndalon “Pork products”, produktet me mish derri. Dhe kjo është një goditje e fortë për delegacionin spanjoll, që nuk mund të ketë në Katar ‘jamón’, proshutën me mish derri. Kuzhinierët spanjollë janë mësuar që në turne të tillë të marrin me vete qindra kilogramë proshutë të cilësisë së lartë. ‘Jamón iberico de bellota’ kushton 120 euro kilogrami.
Nuk është një mungesë e zakonshme. Sepse fetat e prera hollë nga maestro ‘jamonero’ janë për Spanjën dhe spanjollët si zotërimi i topit për Barcelonën. ‘La Roja’ e nis këtë Botëror me një mungesë jetësore. Të shohim çfarë impakti do të ketë kjo mungesë, për momentin vështirë të bëhen parashikime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




