Nga Gazeta 'SI' - Lulzim Basha ka reaguar mbi lajmin e pezullimit të fondeve nga BE duke i bërë thirrje SPAK për të hetuar skemat korruptive.
Në një takim me qytetarët, Basha tha se është domosdoshmëri që të kryhet hetimi i kontratave koncesionare dhe i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë tek kryeministri.
Sipas tij pezullimi i granteve për bujqësinë të programit IPARD nga ana e Komisionit Europian tregon se si qeveria nuk ndalet se abuzuari as me fondet e BE.
"Të gjithë politikanët duhet t’i nënshtohen vetting-ut, hetimit të pasurive të tyre dhe familjarëve të tyre si dhe marrëdhënieve me persona të botës së krimit. Shqipëria e ka jetike ndryshimin dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndryshim karrigesh, por ndryshimin e sistemit dhe rritjen e kontrollit dhe llogaridhënies. Krahas mbështetjes për SPAK, për të hetuar deri në fund aferën korruptive të Inceneratorëve, ku është zhytur e gjithë qeveria dhe aferave të tjera që janë nën hetim – duhet të rrisim fuqinë e qytetarëve në vendimmarrje dhe të Parlamentit në kontrollin e qeverisë", tha Basha.
Nga ana tjetër edhe deputeti Gazment Bardhi i cili e quan goditjen më të madhe që ka marrë Shqipëria në rrugën drejt BE-së.
Bardhi është shprehur në rrjetet e tij sociale se ministrja e Bujqësisë duhet të vihet përpara përgjegjësisë penale, si shefe e AZHBR-së kur ka ndodhur abuzimi.
Ai fajësoi Ramën duke e quajtuar 'bosi i korrupsionit' i cili sipas Bardhit, ka mbushur qeverinë me hajdutë.
"Ky është nga rastet e rralla që pezullohet një projekt, ndalohen fondet aq të nevojshme për bujqësinë tonë, për shkak se qeveritaret, zyrtarët, ministrat, pra qeveria e Edi Ramës, vjedh. Vjedh në këtë rast paratë që vijnë nga taksapaguesit europianë. Ky akt i BE që vjen pas një hetimi të gjatë që ata vetë kanë bërë, tejkalon çdo analizë, çdo raport progresi, çdo lëvdatë e formalizëm, dhe tregon gjendjen reale, nxjerr haptazi në dritë si funksionon qeveria e Edi Ramës, ku drejtuesit dhe ministrat e tij, duan para në dorë për çdo projekt. Është e papranueshme që fermerët e bujqit tanë punëtorë e të varfër, të ndëshkohen për hajdutërinë e qeverisë së Edi Ramës. Teksa nuk ju gjendet në krah, kjo qeveri u bën edhe më keq, duke ndaluar kështu një projekt jetik si IPARD, për shkak të vesit që Rama dhe të tijtë kanë për të vjedhur", përfundon Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.