Treg

Goditja e turizmit mund t’i shkaktojë 4 mld dollarë humbje ekonomisë botërore

Goditja e turizmit e shkaktuar nga Covid-19 do t’i kushtojë ekonomisë globale më shumë se 4 mld dollarë për  vitin 2020 dhe 2021, shumë më keq sesa parashikohej, pasi një përhapje e pabarabartë e vaksinimit po shkatërron vendet në zhvillim që janë shumë të varura nga vizitorët ndërkombëtarë dhe nga turizmi.

“Humbjet vetëm këtë vit mund të arrijnë në 1.7 mld dollarë deri në 2.4 mld dollarë, edhe kur turizmi ndërkombëtar duket se po rikuperohet në vende si SHBA, MB dhe Franca, të cilat kanë norma më të larta vaksinimi.”- vlerëson Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin në nje raport.

Studimi thekson ndikimin e kushtueshëm nga një qasje e pabarabartë e vaksinave në të gjithë botën. Vendet në zhvillim mund të përbëjnë deri në 60% të humbjeve të vlerësuara ndaj produktit të brendshëm bruto global, sipas Unctad.

Raporti tregon gjithashtu se kriza e turizmit është larg nga mbarimi, me kufizime dhe ndalime të udhëtimit akoma në vend në shumë rajone me norma të ulëta të vaksinimit.

 Bota mund të mos shohë një kthim në nivelet para-pandemike të turistëve ndërkombëtarë deri në vitin 2023, sipas studimit, i cili është bërë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit.

Vende të tilla si Tajlanda dhe Turqia, të cilat mbështeten tek turistët e huaj për të rritur ekonominë e tyre, bartën peshën më të madhe të ndikimit. Rënia e turizmit kërcënon gjithashtu sektorë të lidhur ngushtë si ushqimi, pijet, tregtia me pakicë, komunikimet dhe transporti.

Në përgjithësi, kolapsi në turizëm ka çuar në një rritje mesatare prej 5.5% të papunësisë së punës së pakualifikuar, duke goditur një sektor që punëson shumë gra dhe të rinj.

“Turizmi është një litar shpëtimi për miliona njerëz dhe avancimi i vaksinimit për të mbrojtur komunitetet dhe për të mbështetur rinisjen e sigurt të turizmit është thelbësore për rikuperimin e vendeve të punës dhe gjenerimin e burimeve shumë të nevojshme, veçanërisht në vendet në zhvillim,” tha sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit.

Në vendet e zhvilluara,po konsiderohet perspektiva e një pushimi jashtë shtetit të tyre.

Një numër në rritje i amerikanëve po planifikojnë një udhëtim në një vend të huaj, sipas indeksit të besimit të konsumatorit të Bordit të Konferencës.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta SI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë