Drejtësia

Goditi me grushte shoferin e kamionit, lirohet vëllai i Bledion Nallbatit. Deputeti i PD: Inskenim politik i Ramës

Gazeta Si – Gjykata e Korçës ka liruar nga qelia Alti Nallbatin, vëllain e deputetit të PD, Bledion Nallbati, i cili u arrestua dy ditë më parë për dhunën në rrugë ndaj një shoferi kamioni.

Togat e zeza e cilësuan të ligjshëm arrestimin në flagrancë të tij në momentin që dhanë masën e sigurisë, ndërsa sot ajo u ndryshua në detyrim paraqitje”.

“Gjykata, në përfundim të gjykimit, vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për këtë shtetas”, njoftoi gjykata.

Avokati mbrojtës i Alti Nallbatit, Nevzat Tarelli kundërshtoi vendimin, pasi sipas tij nuk ka elementë të veprës penale.

Një reagim e pati edhe Bledjon Nallbati, i cili hodhi akuza ndaj prokurores së çështjes. “Prokurorja, ish-vartësja e Niko Peleshit, personit i cili u mor personalisht me inskenimin dhe falsifikimin e kësaj akuze që nuk qëndron shkon para gjykatës dhe thotë që nuk i kam marrë ende pamjet, nuk di çfarë ka ndodhur, por them të caktohet një masë sigurie, vlerësova si të drejtë arrestimin në flagrancë për vepra që nuk qëndrojnë dhe kërkoj që të caktohet një masë sigurie, pavarësisht nëse ende vetë nuk i administroj këto akte. Më vjen keq që gjyqtarja u bë pjesë e kësaj maskarade politike. Kuptohet pse. Padiskutim që e gjitha kjo u inskenua që Edi Rama të shmangte përgjegjësinë e tij për keqqeverisjen 12-vjeçare dhe u mor me një tallava të tillë”, tha Nallbati.

Nallbati tha se drejtori i policisë delegoi që çështja të punohej nga Drejtoria e Korçës, ndërkohë që kompetencën e ka Komisariati i Devollit.

“Unë e kuptoj, drejtori i policisë, Niko Peleshi, janë eunukë, të paburrë që marrin urdhra dhe i zbatojnë verbërisht nga shefi i tyre, Edi Rama. Nuk e kam këtë deklaratë me ata. Atyre do ua jap përgjigjet ligjërisht siç u takon. Kjo çështje sapo ka filluar. Kanë marrë në qafë punonjës policie që ka firmosur shkresat mbi këtë aktakuzë, me urdhër dhe ata e dinë mirë. E ftoj atë djalë të shkojë pa qenë nevoja që ta çoj unë në SPAK dhe kudo tjetër. Të tregojë pse u mor me një çështje që nuk i takon”, tha Nallbati.

Ai i ktheu përgjigje edhe kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit e përshkroi Nallbatin si “trangull dhe kokëbosh”.

“Unë dhe vëllai im as jemi trembur dhe as do trembemi asnjëherë. Erdhe në Devoll dhe the që vëllai i Bledjon Nallbatit, një njeri gjysmë metri i gjatë është kapo. Jo. Ai as është gjysmë metri i gjatë dhe nuk është kapo. Është kapedan sepse pret dhe përcjell qytetarët dhe i ndihmon me çfarë mundet. Ndërkohë që vëllai yt dy metrosh dihet botërisht, i akuzuar nga agjencitë ndërkombëtare të inteligjencës si kryemafiozi i kokainës në Shqipëri. Vëllai im dhe i jot kanë një ndryshmëri të madhe. Ashtu siç unë dhe ti ndryshojmë shumë. Ti je burracak dhe frikacak. Do ta marrësh përgjigjen pas datës 11 Maj”, tha ai.

Vëllai i Bledjon Nallbatit u arrestua pas një konflikti me një shofer kamioni, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i PD për deputet në Qarkun Korçë.

Pas debatit që nisi fillimisht me fjalë, Alti Nallbati tentoi të zbriste shoferin poshtë, por u pengua nga deputeti.

Situata agravoi më pas dhe të dy vëllezërit tentuan të nxjerrin jashtë shoferin. Në vendin ku ndodhi sherri ndërhynë qytetarët që shuan konfliktin.

Deputeti Bledion Nallbati doli në një konferencë për mediat ku sqaroi se reagimi i tij i ashpër kishte ardhur si pasojë e rrezikut të një aksidenti automobilistik që mund të kishte rezultuar fatal.

Përplasja fizike nuk mbeti pa u komentuar as nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë takimit në Korçë e cilësoi Nallbatin me epitetet “çyryk dhe gjysmak”, ndërsa u kërkoi korçarëve që të mos e votonin për ta sjellë në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë