Gazeta Si - Gert Shehu, 31-vjeçari që goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit 2022, ka dorëzuar ankim ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që e la atë në burg.
Nëpërmjet avokatëve të tij, ai dorëzoi këtë enjte një kërkesë në Gjykatën e Apelit të Tiranës ku kërkon të lirohet.
Shehu kërkon të hetohet në gjendje të lirë me argumentet se duhet të qartësohet gjendja e tij e shëndetit mendor, teksa nëpërmjet avokatëve të tij përmend si rrethanë lehtësuese faktin që vetë kreu i opozitës ka deklaruar se e ka falur.
Por me të njëjtat argumente, Prokuroria kërkon që ai të qëndrojë në burg pa afat, me qëllim daljen e akt-ekspertimit psikologjik që do konfirmojë nëse 31-vjeçari ka apo jo probleme të shëndetit mendor.
Ai akuzohet për goditje për shkak të deyrës dhe plagosjes së lehtë me dashje ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.
Agresori i Sali Berishës, ka pasur precedent të mëparshëm penalë, pasi fillimisht është arrestuar me kanabis.
Ndërsa në vitin 2017, është gjobitur për rrahjen e një personi. Po ashtu është ndaluar nga policia edhe për prishje të qetësisë publike.
Ish kryeministri Sali Berisha u sulmua më 6 dhjetor papritur nga 31-vjeçari Gerti Shehu, ndërsa po ecte nga selia e partisë së bashku në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku po niste një protestë kundër kryeministrit Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.