Gazeta Si – Një grup kriminal i drejtuesr nga disa shqiptarë është shkatërruar nga një operacion i përbashkët i policisë spanjolle dhe Europol-it.
Sipas mediave spanjolle, 27 persona janë arrestuar si pjesë e kësaj organizate, pasi akuzohen për trafik droge dhe pastrim parash me metodën e ashtuquajtur “Hawala”, subjekt i kamufluar tregtar.
Operacioni u zhvillua në disa qytete të Spanjës, si Barcelonë, Madrid, Malaga, Valencia etj. Ky grup kishte qarkulluar vitin e kaluar mbi 65 milionë euro, që sipas hetuesve, bashkëpunonte edhe me rrjete të tjera kriminale, kryesisht shqiptare dhe u ofronte mbështetje financiare për të pastruar paratë e drogës. Sipas Europol, organizata financonte trafikantët e kanabisit.
Mbi 615 mijë euro cash janë sekuestruar nga policia gjatë operacionit, orë, sende të shtrenjta dhe bizhuteri me vlerë 400 mijë euro, celularë të enkriptuar dhe kompjuterë.
Të përfshirë në këtë aktivitet janë edhe shtetas kinezë. Ndërsa dy shqiptarë konsiderohen si drejtuesit e organizatës kriminale.
Hetimi filloi si rezultat i raporteve të inteligjencës kriminale të dërguara në Europol, falë të cilave u bë e mundur identifikimi i një organizate të përbërë nga shtetas me origjinë shqiptare, kryesisht për mbjelljen e marijuanës në ambiente të mbyllura.
Së bashku me shtetasit kinezë, shqiptarët kishin formuar një strukturë në të cilën përfitonin avantazhe të ndërsjella dhe përfitime që rrjedhin nga aktivitetet kriminale me të cilat ata ishin përfshirë.
Gjatë periudhës së hetuar midis majit 2020 dhe marsit 2021, dërgesa të vazhdueshme dhe të shumta kesh u janë bërë organizatave kriminale shqiptare, në një vlerë totale prej gati 65.5 milionë euro, në provinca të ndryshme spanjolle.
Gjatë hetimit, agjentët mundën të verifikonin sesi në këtë strukturë shtetasit kinezë u dërgonin bizneseve të tyre shuma të mëdha parash, në këmbim që kjo shumë të kompensohej diku tjetër, me qëllimin përfundimtar që ato para të mbërrinin në vendin e origjinës pa qenë subjekt i kontrollit përkatës ligjor ose formal në Spanjë.






Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë, duke vepruar me metodën “Hawala”, si një subjekt bankar, kryenin transferimin dhe fshehjen e shumave të mëdha të parave nga shitja e drogës dhe merrnin rifinancimin e operacioneve të reja.
Ky sistem i lashtë financiar u shfaq në Lindjen e Mesme me rrugën e famshme të mëndafshit, si një formë mbrojtjeje kundër sulmeve të mundshme që tregtarët mund të pësonin kur mbanin para gjatë udhëtimeve të tyre.
Ky sistem i lejonte udhëtarit të dorëzonte para në origjinë tek një “hawaladar” që kishte para në destinacionin e udhëtarit.
Me të mbërritur në fund të udhëtimit, udhëtari do të kontaktonte një ‘hawaladar’ tjetër, një koleg i të parit, i cili pasi merrte kodin do t’i jepte shumën, duke shmangur kështu që udhëtari të mbante para gjatë gjithë udhëtimit të tij.
Sakaq, kreu i organizatës, me origjinë shqiptare, u arrestua si përgjegjës për veprën penale të plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Ai akuzohet edhe për rrëmbimin e një personi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



