Gazeta Si – SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, kanë sekuestruar 4 milionë euro pasuri të një organizate kriminale me bazë në Elbasan, e cila drejtohej nga i shumëkërkuari i drejtësisë, Suel Çela dhe vëllai i tij Mario Çela dhe që vepronte në Verona.
Sipas hetimeve, grupi kriminal ishte përgjegjës për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.
Kjo shënon herën e parë që SPAK ka bërë sekuestrim të pasurive të krimit të organizuar jashtë territorit të Shqipërisë.
Por edhe për autoritetet italiane është hera e parë që një organizate kriminale shqiptare investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti të Bashkimit Europian, në këtë rast, Italisë.
SPAK njoftoi sot më 3 korrik se Gjykata e Veronës vendosi si masë preventive sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë së një shoqërie tregtare.
Pasuritë e sekuestruara janë:
Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca (Verona)
Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)
Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)
Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.
Skema e pastrimit të parave
Vëmendja e autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe italiane u përqendruan tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali. Asaj i dërgoheshin shifra të mëdha parash përmes sistemit bankar.
Por ato para vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të vëllezërve Suel dhe Mario Çela. Ato shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave dhe më pas jepeshin me qira.
Autoritetet kanë konstatuar se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, “përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave”.
Në Shqipëri janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave.
Në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.
“Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike”, njoftoi SPAK.
Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve Çela dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale.
“Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme”, njoftoi SPAK. Hetimet për këtë rast ndodhen në fazë paraprake.
Suel Çela në arrati, i vëllai, në burg në Belgjikë
Suel Çela konsiderohet si kreu i një organizate kriminale në Elbasan. Ai ndodhet në kërkim nga SPAK pas hetimeve për dhjetëra ngjarje kriminale në Shqipëri dhe pastrim parash nga trafiku i drogës. Nga ana tjetër, Mario Çela ndodhet i arrestuar në Belgjikë.
Ai u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.