Ka ndodhur

Goditet grupi kriminal, shisnin drogë në lokalet e Tiranës dhe e trafikonin në Kosovë

Gazeta Si – Pesë persona, pjesë e një grupi kriminal që merrej me shitjen dhe trafikimin e kanabisit prej vitit 2019, janë arrestuar në Tiranë.

Sipas policisë, të arrestuarit janë: Dritan Uka, 45 vjeç, Alban Grori alias Alban Gruri, 47 vjeç, Mehdi Gjoka, 56 vjeç, Ylber Tahiri alias Ylli Hida, 51 vjeç dhe Ramazan Doçi, 30 vjeç.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. D. alias A. D., 51 vjeç, A. D., 48 vjeç, N. G., 35 vjeç, E. T., 24 vjeç dhe I. P., 34 vjeç.

Ky grup, akuzohet se në mënyrë të organizuar, që nga viti 2019, kanë siguruar lëndë narkotike kanabis sativa, nga zona të ndryshme në Krujë dhe Dibër dhe më pas e kanë shitur në lokale, në Tiranë, dhe e kanë trafikuar në Kosovë.

Nga hetimet, dyshohet se të 10 personat, janë bashkëpunëtorë për kryerjen e këtyre veprave penale, me 11 shtetas të identifikuar nga Policia e Gjirokastrës, gjatë operacionit policor të koduar “Crossborder line”, në muajin nëntor 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë