Drejtësia

Goditet grupi kriminal/ 7 të arrestuar nga SPAK, mes tyre djali i ish-deputetit Rrahman Rraja

Nga Gazeta ‘Si’– SPAK ka goditur një grup kriminal në Fushë-Krujë të njohur si “Rraja”, që akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa ka lëshuar 11 masa sigurie.

Sipas burimeve, 7 masa janë ekzekutuar, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim. Arrestimi i tyre është bërë i mundur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Këta persona akuzohen për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe atë të grupit të strukturuar kriminal. Tre prej tyre janë anëtarë të fisit Rraja, dhe njëri nga ta Rexhep Rraja, djali i ish deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.

Rrexhep Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës edhe për dhunë në një gurore në 6 korrik 2023. 

Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vjen pas hetimeve të gjata duke synuar goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.

Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim. Më vonë gjatë ditës SPAK pritet të bëjë me dije më shumë detaje lidhur me këtë operacion.

Grupi “Rraja” ka qenë në fokus të institucioneve prej vitesh, për dyshime lidhur me aktivitete të ndryshme kriminale.

Sipas burimeve, personat e përfshirë dyshohet të jenë të përfshirë në trafik droge dhe operacioni i sotëm synon goditjen e të gjitha hallkave të aktivitetit të tyre kriminal.

Emri i Rexhep Rrajës u bë i ditur në vitin 2018, pasi u akuzua për dhunë barbare ndaj të dashurës së tij të asaj kohe, Xh.S.

Më vonë po ashtu fisi Rraja u përmend në rastin e dhunimit të dy kushërinjve Maja, në korrik të vitit 2023, pas verifikimeve që policia dhe prokuroria bënë pas videos së bërë publike në atë kohë.

Po ashtu edhe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoa, dhe Aleksandër Lahos (të njohur si Rrumi i Shijakut), ngjarje e vitit 2019 ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.

Konkretisht, të arrestuar:

Marvin  Bushati

Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

Sokol Qaja

Gazmir  Rraja

Përparim Rraja

Rexhep Rraja

Zamir Aliaj

Tre masat e komunikuara në burg:

Islam Sefa

Aldo Gjini

Jani Çavo

Në kërkim:

Ervis Shuli

Bujar Sefa

Hajdar Sefa

Vildan Baroku


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë