Gazeta Si – Një bandë italo-shqiptare e trafikut të drogës u godit këtë të mërkurë në provincat e Firences dhe Sienës.
Sips mediave italiane, janë arrestuar 9 persona, të dyshuar si pjesëtarë të një organizate kriminale të angazhuar në trafikun e lëndëve narkotike.
Hetimet, të nisura në vitin 2023 pas sekuestrimit të 20 kilogramëve kokainë në San Gimignano, zbuluan një rrjet të ri kriminal me baza në Toskanë dhe kanale furnizimi në Lombardi.

Në krye të grupit dyshohet se qëndronin dy shqiptarë, të cilët përcaktonin strategjitë, furnizimet dhe shpërndarjen e drogës.
Korrierët e bandës, të cilët rezultonin të punësuar zyrtarisht si shoferë transporti, përdornin pako të rreme për të fshehur kokainën, hashashin dhe marijuanën, duke imituar shpërndarjet e një kompanie ndërkombëtare transporti.
Gjatë hetimeve u sekuestruan gjithsej 17 kilogramë kokainë, 18 kilogramë hashash dhe një kilogram marijuanë.
Të arrestuarit janë një çift italian 36-vjeçar që banojnë në zonën e Sienës dhe shtatë shqiptarë që banojnë në Toskanë, të moshës midis 25 dhe 41 vjeç.

Tre persona ishin arrestuar më parë në flagrancë, ndërsa tani ndaj tyre janë vendosur masa të reja sigurie.
Gjykata ka urdhëruar tetë masa sigurie në burg dhe një “arrest shtëpiak”, ndërsa akuzat përfshijnë pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik të paligjshëm të drogës.
Autoritetet po kryejnë kontrolle të tjera për të zbuluar prova shtesë dhe përfitimet e narkotrafikut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




