Ka ndodhur

Goditen dy grupe që kultivonin kanabis në Mirditë dhe Lezhë

Dy grupe që kultivonin lëndë narkotike në zonën e Mirditës dhe Lezhës janë goditur nga policia. Në pranga kanë rënë pesë persona, si dhe kanë nisur hetimet për pesë të tjerë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar armë zjarri automatik dhe fidanë kanabis. Policia thotë se në Mirditë janë arrestuar Astrit Lepuri, 39 vjeç, banues në Kurbin dhe Elidon Vofi, 26 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa janë vënë nën hetim Nikoll Kola, me detyrë kryetar i fshatit Xhuxhë dhe shtetasi, Shkurt Marku, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Fan, Mirditë.

Ndërkohë në Lezhë, policia ka bërë të mundur arrestimin e Nikolin Krepit, 32 vjeç, Arjon Marku, 31 vjeç dhe Gjon Krepi, 38 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa ka nisur hetimet për Pashk Lleshin, me detyrë kryetar i fshatit Pshqesh, Gjovalin Laska, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh, Bardhok Ndreca me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Orosh, Mirditë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë