Ngjarje

Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve

Gazeta Si – Për herë të parë në Theth, do të përdoret shpërthimi me tritol. Mëngjesin e sotëm, forcat e IKMT dhe forcat xhenio të Forcave të Armatosura kanë mbërritur ne godinën e fundit për ta shembur.

Mbrëmë u shemb vetëm një shtëpize druri ndërsa sot, do të shembet një godinë 3 katëshe. Për këtë arsye kanë mbërritur edhe forcat xhenio të cilët po studiojnë objektin dhe po marrin masat për vendosjen e lendes plasëse. Në afërsi të ndërtesës është edhe shtëpia tjetër e familjes Çerkaj, me leje.

Ndërkohë, një grup qytetarësh nga Mirdita u nisën drejt Thethit, në solidaritet me banorët e zonës së Dukagjinit.

Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, kjo iniciativë vjen si shprehje e mbështetjes për vëllezërit e gjakut në Shalë e Shosh, të cilët po përballen me sfida serioze që prekin jetesën, trashëgiminë dhe të ardhmen e tyre në këto treva historike.

Mirditorët u shprehën se ky udhëtim nuk është thjesht simbolik, por një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar dhe veprim konkret.

“Mirdita, ka qenë krah për krah me pjesën tjetër të Veriut në kohë vështirësish, sot rikonfirmon lidhjet e gjakut, të besës dhe të trashëgimisë kulturore me Dukagjinin. Mirdita nuk hesht. Mirdita qëndron krah Dukagjinit, në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe tokës që na rriti”, shprehen ata.

“Mirdita solidarizohet me Dukagjinin” – sepse jemi një, sepse bashkimi është forca jonë më e madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë