Gazeta Si – Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Christopher Wray mirëpriti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Drejtori i FBI-së, përgëzoi Nanon për kurajën dhe profesionalizmin në drejtimin e Policisë së Shtetit dhe i konfirmoi mbështetjen e palëkundër të agjencive ligjzbatuese amerikane për Policinë e Shtetit.
Vizita përforcoi marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunuese mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe qeverisë së SHBA-së.
Përveç takimit të tij me drejtorin e FBI-së, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano më herët u takua edhe me zëvendësndihmësprokurorin e Përgjithshëm, njëkohësisht Këshilltar për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë, Bruce Swartz, shefin e Operacioneve të Jashtme të Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), George Papadopoulos, dhe drejtues të lartë nga Byrotë Diplomatike të Departamentit të Shtetit për Sigurinë dhe Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.
Vizita në Uashington, theksoi partneritetin SHBA-Shqipëri dhe rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, nëpërmjet operacioneve të përbashkëta, trajnimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




