Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, janë ndalur të gjitha aktivitete kulturore dhe janë mbyllur institucionet kulturore si galeritë, muzetë apo teatrot. Në pamundësi për ta hapur Galerinë Kombëtare të Kosovës, udhëheqësit e këtij institucioni kanë menduar një tjetër formë që të jenë sa më pranë publikut këto ditë. Ekspozitën “Heshtje e Rëndë” të artistit Burim Gashi e cila është e hapur në këtë galeri, tashmë publiku mund ta vizitojë online në 360 gradë (kliko këtu)
Sipas kuratores së kësaj ekspozite Many Gransch, “të shikosh një peizazh të natyrës së qetë mund të jetë relaksues madje edhe i gëzueshëm”. “Por ndonjëherë ato pamje sjellin ndjenja të përziera. Në disa vende ka një heshtje të rëndë në ajër, një pasiguri që mund ta ndjeni edhe pse nuk mund të shihni asgjë. Kjo atmosferë mund të bëhet edhe më e fortë nëse dini për historinë e atij vendi ose nëse kërkoni përgjigje që nuk mund të gjenden”, shprehet Gransch.
Ekspozita “Heshtje e Rëndë”, me veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi, tregon pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike të krijuara nga lufta, dhunë dhe paqartësinë për njerëzit e zhdukur. Në këtë seri të re të veprave, Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij.
Duke shikuar veprat e tij vërehet se materiali i skulpturave monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflekton mbi peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtron pyetje se çfarë po ju bën kjo peshë njerëzve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje.
Me veprat e tij, Burim Gashi jo vetëm që po i hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë të ndjeshme për të reflektuar, menduar dhe folur për përvojat, emocionet dhe kujtimet individuale dhe kolektive./KultPlus
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.