Ka ndodhur

“Gjysmëfinalja”/ Aksion kombëtar kundër lojërave të fatit, arrestohen 35 persona (FOTO-VIDEO)

Në një operacion kombëtar për goditjen e lojërave të fatit, ndërsa luhej gjysmëfinalja e dytë e Europianit Danimarkë-Angli, janë arrestuar 35 persona.

Në operacionin policor, të koduar “Gjysmëfinalja”, i zhvilluar në 12 qarqe të vendit, gjatë mbrëmjes së të mërkurës, u përfshinë 1.100 punonjës policie.

Policia bën me dije se në të gjithë vendin janë kontrolluar 656 ambiente në të cilat dyshohej se mund të ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit, kryesisht në fushën e basteve.

Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 35 persona, konkretisht 19 persona në Tiranë, 6 persona në Vlorë, 5 në Shkodër, 2 në Durrës, 1 në Bulqizë, 1 në Fier e  1 në Korçë.

Po ashtu mësohet se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 18 persona, konkretisht 5 persona në Korçë, 3 në Tiranë, 3 në Shkodër, 2 në Vlorë, 2 në Berat, 1 në Elbasan, 1 në Mat dhe 1 në Fier.

Policia sqaron se ka sekuestruar dhe  15 kompujtera, 5 makineta për lojëra fati, 16 tableta që shërbenin për vënie bastesh, 8 tavolina pokeri, 15 DVR, 41 aparate celular, 5 milionë lekë dhe prova të tjera materiale, të cilat shërbimin për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë