Ka ndodhur

Gjysma e vendit nën ujë/ Përmbyten tokat në Shkodër, Lezhë e Fushë-Krujë. Ushtria nis të shpërndajë ushqime (foto, video)

Reshjet e dendura të shiut, në mbarë vendin, kanë përkeqësuar situatën duke sjellë përmbytje në disa qytete të vendit.

Situatë problematike paraqitet në Lezhë, Shkodër, Vlorë, Durrës, Elbasan, etj.

Deri më tani raportohet për mijëra hektarë tokë të përmbytur, si dhe rrugë të prishura e shtëpi të “pushtuara” nga uji.

Në përditësimin e situatës nga reshjet intensive në vend, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se qarku i Shkodrës është në monitorim të vazhdueshëm si nga strukturat vendore ashtu edhe nga ato qendrore.
Forcat e Armatosura po mundësojnë lëvizjen e banorëve me mjete lundruese dhe mjete të larta. Gjithashtu FA po transporton pakot ushqimore nga Rezervat e Shtetit, drejt zonave të prekura. Të gjitha hidrovoret në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës funksionojnë me kapacitet të plotë.
Po sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Shkodër nuk ka asnjë familje të evakuuar, ndërkohë që janë përmbytur 4080 ha tokë.
Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës 3 banesa janë bërë të pabanueshme në bashkinë Pukë. Aksi rrugor rural Bogë-Qafë Thore është i bllokuar, i pakalueshëm, ka rreth 1m borë.
Rruga e fshatit Dardhë, bashkia Fushë Arrëz është shembur rreth 60-70 metra (që më dt. 31.12.2020) duke e bërë rrugën të pakalueshme.
Në qarkun Lezhë lumi Drin është ulur 70 cm nga kuota kritike, ndërkohë që janë evakuuar 28 familje. 2850 ha tokë në këtë qark është nën ujë.
Nga rrëshqitjet e tokës 6 banesa janë bërë të pabanueshme në Lezhë dhe 2 të tjera në Mirditë.
Rruga Gallat-Minjollë në Milot dhe rruga pranë lumit Drojë janë të bllokuara.
600 pako ushqimore janë shpërndarë në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.
Në qarkun Durrës janë evakuuar 8 familje, ndërkohë që 20 banesa janë përmbytur dhe ka prezencë uji. Sipërfaqe nën unë janë 520 ha.
300 pako ushqimore janë shpërndarë në këtë qark në Durrës, Krujë dhe Shijak.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile ndodhen në zonat e prekura në Shkodër dhe Lezhë për të koordinuar nga afër situatën.

Fryhet lumi Shkumbin, rrezikon të dalë nga shtrati 

Reshjet e dendura të shiut në Elbasan gjatë natës kanë fryrë lumin e Shkumbinit duke rrezikuar që të dalë nga shtrati. Edhe përroi i Zaranikës është fryrë dhe rrezikon gjithashtu të dalë nga shtrati. Dalja e tyre nga shtati mund të sjellë përmbytjen e tokave rreth tyre.

Zv.kryeministri, Erion Braçe u ka bërë apel banorëve të Tërbufit, nga Çerma e sipërme në Proshkë, Pasha, Shkumbin, Sulzotaj, të largohen vetë e të largojnë bagëti, mjete e çka tjetër nga tokat, nga buza e lumit në argjinaturë.
“Shkumbimi po sjell rrezik. Prurjet e lumit Shkumbin prej mëngjesit të sotëm janë rritur më me shumëfish deri në 800 metër kub ujë në sekondë. Çdo banor i Tërbufit nga Çerma e Sipërme në Proshkë, Pasha, Shkumbin, Sulzotaj, të largohet vetë e të largojë bagëti, mjete e çka tjetër nga tokat, nga buza e lumit në argjinaturë. I njëjti lajmërim vlen për të gjithë banorët e fshatrave buzë Shkumbinit nga Papri në Peqin, Rrogozhinë. Edhe një herë, hiqni çdo gjë nga toka buzë lumit deri në argjinaturë tani”, apeloi Braçe.

Ndërkohë ka pasur rrëshqitje dherash në aksin rrugor Elbasan-Përrenjas në fshatin Pishkash. Kalimi i automjeteve bëhet me kujdes. Pritet që punonjësit e firmës se mirëmbajtjes së rrugëve të pastrojnë aksin. Për shkak të shirave ka pasur rënie gurësh në aksin Elbasan-Librazhd, dhe Gramsh-Moglice.

Kurbin, shkatërrohet rruga e fshatit Shpërthet

Gjatë natës në qarkun e Lezhës reshjet kanë qenë intensive. Në Zadrimë, Torovicë, Spiten dhe Gjorm të Kurbinit janë 2800 hektarë tokë nën ujë, ndërsa 27 familje janë evakuuar. Problem mbetet rrëshqitja e dherave dhe gërryerjet nga lumenjve. Prurjet e mëdha të lumit Droje kane shkatërruar rrugën e fshatit Shpërdhet pranë Mamurrasit.

Po ashtu është shembur ura në fshatin Kalivaç, në njësinë administrative Ungrej të Lezhës.

Më pas, gjatë ditës, xhenierët e Komandës Mbështetëse nisën punën për ndërtimin e urës së Kalivaçit. Ura izolon rreth 1500 banorë të fshatrave Kalivaç, Ungrej, Kashnjet, Vig e Kastër dhe frekuentohet nga nxënësit e 5 shkollave 9-vjeçare në zonë. Menjëherë pas mbushjes së krahut të dëmtuar, xhenierët e Forcave të Armatosura do të nisin montimin e urës tip “bailey”. Ura do të jetë 21 m e gjatë.

Gjithashtu është përmbytur zona në superstradën Lezhë-Shkodër, si fshati Blinisht dhe të tjerë.

Situata vijon të jetë e përkeqësuar edhe në Qarkun e Shkodrës. Nga dje deri sot ka pasur një rritje prej 10 cm në lumin Drin dhe Bunë.
Mësohet se vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe qarkullimi mund të klryeht vetëm me mjete të larta, ndërsa niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80cm.

Ujesjellësi Oblika 1 ka dalë jashtë funksionit si pasojë e përmbytjeve dhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Fushë Krujë, 20 banesa të rrethuara nga uji në fshatin Murqine

Vijon përmbytja në fshatrat Murqine, Mallkuç dhe Bilaj. Me qindra hektarë tokë vijon të jetë nën ujë.

Situata më problematike paraqitet në fshatin Murqine ku niveli i ujit vijon të jetë i lartë dhe mbi 20 banesa në këtë fshat janë të rrethuara nga uji.

E njëjta situatë paraqitet dhe në fshatrat fushore të Ishmit si Gjuricë, Fushkapedane, Fushkertushaj etj. ku sipërfaqe prej dhjetëra hektar toke bujqësore janë nën ujë prej 72 orësh. Është tërhequr uji në fshatin Derven.

Dëmet janë të mëdha, pasi tokat e përmbytura janë të mbjella me kultura bujqësore si dhe me ushqim për blegtorinë. Dëme të tilla do të sjellin kosto të madhe gjatë vitit.

Ndërkohë rruga që lidh fshatrat e Malësisë së Krujës si Kroi i Madh, Bruz Mal, Bruz Zallë Rreze me pjesën tjetër të vendit është bllokuar dhe është e pakalueshme. Shkak është bërë shembja e një masivi të madh dheu e gurësh. Janë rreth 570 banorë të këtyrë fshatrave që janë të bllokuar.

E vetmja mundësi kalimi për këto banorë është nga ana e Kamzës nëpërmjet Bovillës, e cila është një rrugë alternative, por tepër e amortizuar.

Edhe pse rruga ështe bllokuar që parmbrëmë, akoma nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e bashkisë për zhbllokimin e saj.

Ka pësuar rrëshqitje dhe rruga Gjiri i Lalzit – Fushë-Krujë në afërsi të Lalëzit, rruga që kalon nga Ishmi.

Me dhjetra hektarë tokë bujqësore nën ujë bujqesore dhe në fshatrat Perlat dhe Hamallaj Sektor të njësisë administrative Sukth.
Mospastrimi i kanaleve ka ndikuar në permbytjen e kësaj zone.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë