Nga Gazeta ‘SI’- Më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk kanë bërë asnjë ditë pushim, sipas të dhënave që Eurostat ka publikuar. Ndonëse raporti europian i referohet 2022-shit, të dhënat për Shqipërinë janë të 2021-shit.
Ndonëse Shqipëria listohet pas vendeve si Italia, Greqia, Bullgaria, që po ashtu kanë numër të lartë të qytetarëve që nuk marrin pushime, por arsyet nuk janë të njëjta.
70% e shqiptarëve që nuk bëjnë pushime, kanë si arsye “pamundësinë financiare”, ndërsa tek vendet e tjera kjo normë është shumë më e ulët.
3.2% cituan arsyet shëndetësore, 6.1% ato familjare, ndërsa 16.8% për shkak se ishin të angazhuar me punë apo me studimet.
Sipas grupmoshës, 25-35 vjeçarët janë ata që udhëtojnë më shumë, pasi vetëm rreth 40% e tyre nuk kanë bërë pushime. Personat mbi 65 vjeç, udhëtojnë shumë pak, gati 72% e tyre nuk bëjnë pushime jashtë shtëpisë.
Sipas shifrave të Eurostat, shtetasit që bëjnë më shumë pushime janë norvegjezët, ku pothuajse 90% e tyre bëjnë pushime, ndjekur nga suedezët me rreth 82%.
Edhe një anketë e mëhershme e Barometrit të Ballkanit nga RCC, tregonte se 60% e shqiptarëve nuk kanë mundësi të bëjnë pushime larg shtëpisë së tyre. Kjo ishte shifra më e lartë në të gjithë rajonin dhe se nuk ka asnjë përmirësim me vitin e shkuar.
Ky rezultat duket të jetë pasojë e gjendjes së vështirë financiare, pasi 25% e shqiptarëve të anketuar thanë se të paktën një herë gjatë vitit kanë pasur vështirësi të paguanin faturat ujë-drita.
19% kishin pasur probleme me pagesën e kësteve të kredisë; 52% kishin probleme që të mbanin shtëpinë të ngrohë (nga 24% që është mesatarja rajonale); 21% nuk kanë mundësi të përballojnë furnizimet bazë si ushqime, apo veshje (nga 17% mesatarja rajonale).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.