Analize

Gjysma e botës voton në 2024, cilat janë zgjedhjet që mund të sjellin ndryshime dramatike

Nga Gazeta ‘Si’ – Fuqia më e madhe në botë (Shtetet e Bashkuara), vendi më i populluar (India), blloku më i madh tregtar (Bashkimi Evropian), vendi më i madh mysliman (Indonezia), vendi më i madh spanjisht-folës (Meksika) dhe territori që mishëron rrezikun më të madh të një lufte midis dy superfuqive të këtij shekulli (Tajvani) do të mbajnë që të gjitha zgjedhje në vitin 2024.

Rreth 70 vende – me një total prej më shumë se 3.7 miliardë banorë, ose gati gjysma e popullsisë globale – planifikojnë të mbajnë zgjedhje presidenciale ose parlamentare vitin e ardhshëm. Dhe rezultati i tyre të ketë pasoja të mëdha në jetën e njerëzve, dhe në një botë që po kalon një periudhë të trazuar, me luftëra brutale që po zhvillohen kundër Ukrainës dhe Gazës, dhe me një Perëndim në rënie të dukshme në skenën globale (pa një zëvendësues të qartë).

Në rrafshin gjeopolitik, ky cikël zgjedhor mund të ketë një ndikim shumë të madh. Një rikthim i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë , një fitore e tretë radhazi në Tajvan nga kandidatët që Pekini i konsideron si armiqësorë ndaj tij, apo një rritje e fortë e së djathtës ekstreme në Bashkimin Evropian, mund të sjellin me siguri pasoja të konsiderueshme.

Përveç këtyre rasteve, ka edhe shumë zgjedhje të tjera me peshë. Ato variojnë nga zgjedhjet parlamentare në Pakistan – një fuqi bërthamore e paqëndrueshme – deri tek ato në Iran; nga zgjedhjet e mundshme presidenciale në Venezuelë, deri tek ato në Ukrainë. Mandati i Volodymyr Zelenskiy skadon në marsin e 2024-ës, por duke pasur parasysh pushtimin rus, mbetet e paqartë se kur do të mbahen zgjedhjet e reja.

Zgjedhjet kryesore të vitit të ardhshëm, do të jenë një test i rëndësishëm për demokracinë në botë. Shumë studime, po vënë në dukje një përkeqësim global të cilësisë së demokracisë, me pengesa ekstreme – si grushtet e shtetit në disa vende afrikane – apo të moderuara, me çështje që po detyrojnë shumë shoqëri të rrëshqasin nga mjediset e shëndetshme demokratike tek ato më të brishta.

Duke lënë mënjanë farsat e pastra elektorale si ajo në Rusi, do të jetë me shumë rëndësi të shihet se çfarë do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara, ku Trump u përpoq të përmbyste humbjen e tij në vitin 2020, apo në Indi, ku kundërshtarët e administratës Modi dhe analistët ndërkombëtarë po raportojnë disa pengesa shqetësuese.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA nëntorin e vitit të ardhshëm, bartin një potencial të jashtëzakonshëm përçarës. Sepse është e madhe mundësia që Trump të jetë kandidati zyrtar i republikanëve dhe të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Establishmenti konservator nuk diti se si të ndahej prej tij pas humbjes së vitit 2020 dhe reagimit të turpshëm të manjatit.

Për këtë arsye 4 vjet më vonë, nuk ka rivalë që të jenë mjaftueshëm të fortë për ta mposhtur atë. Njëkohësisht, në kampin e demokratëve, Joe Biden duket i vendosur për të kërkuar rizgjedhjen në detyrë. Sipas të gjitha sondazheve, mbështetja ndaj tij këtë herë është shumë e dobët, ndoshta për shkak të shenjave të moshës së tij të thyer, ose për shkak të dëmit të shkaktuar nga inflacioni më i lartë në 4 dekadat e fundit.

Një rikthim i Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte një tronditje të madhe, që do të sillte me vete disa rreziqe. Ai do të ishte një hap drejt izolacionizmit amerikan, pikërisht në kohën kur fuqitë rivale po vënë në dyshim – në një mënyrë pak a shumë subversive – rendin botëror që ka krijuar Uashingtoni.

Biden është përpjekur të ringjallë rrjetin tradicional të aleancave amerikane:ai ka kërkuar mbështetje të fortë për Ukrainën, ka premtuar hapur se do ta mbrojë Tajvanin nga një sulm i mundshëm i Kinës, dhe i ka siguruar aleatët e tij evropianë dhe aziatikë për angazhimin e Shtetet e Bashkuara për sigurinë e tyre dhe për lidhjet tregtare.

Trump do të mishëronte një shkëputje nga ky skenar. Doktrina e tij “Amerika e Para”, nënkupton kufizimin e përpjekjeve dhe shpenzimeve në rajone të largëta. Është e dyshimtë nëse ai do të angazhohej për të mbështetur Tajvanin nëse ky do të sulmohet nga Kina, apo nëse do të ruante financimin dhe garancitë e sigurisë të dhëna për Ukrainën dhe NATO-n. Ndërkaq do të ishin më të mundshme luftërat e reja tregtare, si dhe një tërheqje nga angazhimet kundër ndryshimeve të klimës. Ia vlen të analizohet se çfarë përfundimesh do të nxirrnin Kina ose Rusia nga një presidencë amerikane, që mund të jetë më pak e gatshme të marrë përsipër kostot e një projekti ndërkombëtar.

Tajvani është dukshëm nën shënjestrën e Pekinit. Pavarësisht se nuk ka popullsinë apo ekonominë më të madhe, ishulli është tepër i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik. Ai ka një sistem politik kompleks dhe plot nuanca në lidhje me marrëdhëniet me Pekinin.

Por ka një dilemë të madhe përpara:një fitore për Kuomintang (KMT) – në favor të kërkimit të marrëdhënieve më të mira me Pekinin – ndoshta do të ulte tensionet. Nga ana tjetër, një fitore e tretë radhazi e Partisë Demokratike Progresiste (DPP) – që mbron me forcë identitetin e veçantë tajvanez, është në favor të thellimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe forcimit të mbrojtjes – do të lexohej në Pekin si një provë se qytetarët e këtij ishulli po i largohen qëndrimit më pajtues të KMT-së.

Askush nuk mund ta thotë me siguri se si do të ndikonte ky rezultat në llogaritjet strategjike të Partisë Komuniste Kineze. Presidenti Xi Jinping, e ka bërë të qartë se e konsideron ribashkimin si një pjesë thelbësore të projektit të tij politik. Ai ka urdhëruar ushtrinë që deri në vitin 2027 të arrijë një nivel të ri të kapacitetit operacional.

Gjithsesi, s’ka asnjë dyshim se Pekini do të preferonte të shmangte një konflikt me efekte potencialisht të dëmshme. Edhe nëse administrata do të arrinte ribashkimin përmes pushtimit me një lehtësi relative, pasojat e rënda ekonomike ka të ngjarë ta vështirësonin rrugën e saj drejt zhvillimit.

Në këto kushte, a do të hiqte vërtet dorë Xi nga qëllimi i tij për ribashkimin e ishullit me Kinën? Dhe a do të ishte një presidencë e dytë Trump, dhe një presidencë e DPP-së në Tajvan, mundësia më e mirë për Pekinin për të goditur?

Nga ana tjetër në qershorin e vitit të ardhshëm, Parlamenti Evropian do të mbajë zgjedhje në të 27 shtetet anëtare. Rezultatet do të ndikojnë me siguri në udhëheqjen e re të BE-së. Sondazhet e fundit të Politico, tregojnë një rritje të dy blloqeve të ekstremit të djathtë, dhe një rënie të mbështetjes midis konservatorëve tradicionalë evropianë, socialdemokratëve, liberalëve dhe të gjelbërve.

Megjithatë, grupet e fundit ka të ngjarë të ruajnë një shumicë komode. Por pyetja është nëse mund të formohet një shumicë alternative nga një koalicion midis grupeve populiste dhe atyre të ekstremit të djathtë. Në një projeksion të Politico në fillim të dhjetorit, distanca midis ekstremistëve dhe të moderuarve ishte vetëm rreth 20 vende (nga 720 gjithsej).

Nuk ka gjasa të kemi një shumicë absolute të së djathtës. Por edhe nëse nuk arrihet diçka e tillë, një rritje e ndikimit të blloqeve të djathtë do të kishte pasoja të mëdha. Sepse edhe në legjislaturën aktuale, janë vënë re aleanca fluide mbi disa çështje, si për shembull në luftën kundër ndryshimeve klimatike, ku e djathta ka fuqi ndikuese.

Po ashtu me një bllok më të fuqishëm të ekstremit të djathtë, është e paqartë nëse BE-ja do të jetë në gjendje të ecë përpara me pranimin e vendeve që janë kandidate për anëtarësim, apo nëse do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj.

Burimi: El Pais/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë